Gjykata Kushtetuese ka në dorë për të vendosur nëse Tirana do të ketë një kryetar bashkie që do të udhëheqë nga burgu ose për t’u zhvilluar një garë mes tre kandidatëve për të marrë drejtimin e kryeqytetit.
Një ditë më parë, Erion Veliaj ishte në seancën maratonë të Gjykatës Kushtetuese, ku kërkoi shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve më 9 nëntor në Tiranë dhe të mos njohë vendimin e shkarkimit të tij ndërsa paraprakisht zgjedhjet janë pezulluar.
Tre mundësi ka në tavolinë Gjykata Kushtetuese; Rrëzimin e Erion Veliajt, prandimin e kërkesës së tij tërësisht ose pjesërisht. Opsioni i tretë, bie për sa kohë dy kërkesat e Veliajt janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Nëse pranohet plotësisht pretendimi i kryetarit të shkarkuar, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet do të anulohen. Dhe nëse gjyqtarët vendosin me shumicë votash apo njëzëri të rrëzojnë kërkesën e Erion Veliajt, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.
Por e sigurt që jo në 9 nëntor, siç dekretoi presidenti Bajram Begaj. Juristi i tij deklaroi gjatë seancës se kompetenca e presidencës është ezauruar për një datë të re zgjedhjesh. Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në gjykimin e tyre edhe për kohën kur do të votohet në kryeqytet.
“Në rast se ju rrëzoni kërkesën duhet të merrni masat që zgjedhjet në Tiranë të zhvillohen pas hyrjes në fuqi të vendimit tuaj që kodi zgjedhor përcakton afatin 30 ditë minimumi deri në 45 ditë për të vendosur datën e re të zgjedhjeve.”-u shpreh Ilir Rusmaili.
Po të llogarisim afatet, në rast se vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, atëherë periudha më e afërt e mundshme shihet muaji dhjetor, por nëse shkojmë në maksimum të afatit ligjor, data më e largët pritet të jetë 14 janari.
Marrë nga Newsbomb.al