“Unë jam Putini. Unë jam Putini i ri”, deklaronte Kanye West në emisionin në YouTube “Drink Champs”.
Kur u pyet se kur e kishte kuptuar këtë ngjashmëri, reperi u përgjigj: “Kur kuptova se kultura është naftë, se kultura është energji. Dhe unë jam mbreti i kulturës, prej 20 vitesh dhe për 2000 vitet e ardhshme”.
Tani mund të ndodhë që Kanye West dhe presidenti rus Vladimir Putin të takohen edhe personalisht. Sipas një artikulli të revistës gjermane “Der Spiegel”, Ye pritet të japë në tetor dy koncerte në Rusi, të parat e tij në këtë vend.
Koncertet janë planifikuar më 10 dhe 11 tetor në Shën Petersburg. Interesi ka qenë i madh dhe vetëm gjatë ditës së parë janë shitur më shumë se 80 mijë bileta. Por pikërisht koncertet e Kanye West në Rusi kanë hapur një tjetër debat, që shkon përtej muzikës.
Rama i dha 4 milionë euro, shqiptarët protestuan
“Spiegel” ndalet edhe te koncerti që Kanye West zhvilloi në Shqipëri në korrik. Revista gjermane shkruan se koncerti u shoqërua me protesta dhe se qeveria e Edi Ramës “thuhet se kishte vënë në dispozicion më shumë se katër milionë euro” për të. Ye ka qenë vazhdimisht në qendër të polemikave gjatë viteve të fundit, veçanërisht për deklaratat e tij antisemite dhe simpatinë e shprehur për Adolf Hitlerin.
Më 24 gusht, përfaqësuesit e Gazprom Arena deklaruan se stadiumi nuk kishte nënshkruar kontratë qiraje për koncertin e Ye.
“Për rrjedhojë, koncerti nuk mund të zhvillohet në objektin tonë”, deklaruan përfaqësuesit e stadiumit.
Organizatorët, nga ana tjetër, pretendojnë se koncerti do të zhvillohet dhe kanë kërkuar që publiku të presë informacionin zyrtar.
Pse Kanye West në Rusi?
Pyetja që ngrihet është se çfarë përfaqëson realisht ardhja e Kanye West në Rusi. Një interpretim e paraqet koncertin si shenjë të rikthimit të artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë në skenën ruse. Një tjetër e lidh praninë e Ye me përpjekjen e Kremlinit për të përdorur një figurë të njohur të kulturës pop për imazh.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia nuk ka pritur koncerte të yjeve ndërkombëtarë në përmasat që parashikohet të ketë eventi i Kanye West.
Artistë amerikanë si Gucci Mane, Waka Flocka Flame apo Xzibit kanë performuar në Rusi, por në ambiente më të vogla dhe për disa mijëra spektatorë, jo në stadiume.
Sipas “Spiegel”, industria ruse e koncerteve ka humbur rreth 30 për qind të artistëve të saj që prej vitit 2022.
Një pjesë e muzikantëve u larguan pasi kundërshtuan luftën në Ukrainë. Artistë të tjerë u përballën me ndalimin e koncerteve pasi kritikuan Vladimir Putinin.
“Listat e zeza” të Kremlinit
Gazeta opozitare ruse “Meduza”, raporton se administrata presidenciale ruse harton “lista të zeza” me muzikantë që përballen me një ndalim jozyrtar të koncerteve. Në këto lista përfshihen grupi Kasta, reperët Oxxxymiron dhe Noize MC, këngëtarja Zemfira dhe artistë të tjerë. Artistët që kërkojnë të dalin nga këto lista duhet të kryejnë një lloj “akti pendese”. Ata mund të performojnë në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia ose të bëjnë donacione për organizata që mbështesin ushtarët rusë.
“Spiegel” sjell si shembull grupin rus Zveri.
Frontmeni Roma Zver fillimisht kritikoi pushtimin rus të Ukrainës. Pas anulimit të disa koncerteve, ai fshiu postimet kritike nga rrjetet sociale dhe më pas performoi në Donetsk përpara ushtarëve rusë.
Në raste të tjera, reagimi i autoriteteve ka qenë edhe më i ashpër.
Këngëtari Eduard Charlot u dënua me pesë vjet e gjysmë burg pas publikimit të disa videove në rrjetet sociale, ku ndër të tjera dogji pasaportën ruse dhe kritikoi pushtimin e Ukrainës.
Autoritetet ngritën ndaj tij akuza për “rehabilitim të nazizmit” dhe “shkelje të ndjenjave fetare të besimtarëve”.
Kanye West, përjashtimi nga rregulli
“Spiegel” evidenton kontradiktën me mënyrën se si autoritetet ruse po trajtojnë Kanye West. Ye ka shprehur publikisht simpati për Adolf Hitlerin dhe ka bërë deklarata antisemite. Në kushtet kur autoritetet ruse kanë goditur artistë vendas edhe nën akuzën e “rehabilitimit të nazizmit”, Kanye West mund të pritej të përballej me të njëjtin filtër.
Por po ndodh e kundërta. Ai po ftohet për dy koncerte të mëdha në Shën Petersburg dhe organizatorët pretendojnë se kanë bërë tashmë edhe parapagimin. Për të kuptuar këtë përjashtim, revista gjermane ndalet te personat që organizojnë ardhjen e tij në Rusi.
Ftesa vjen nga një mbështetëse e luftës
Agjencia “Say Agency”, e cila qëndron pas koncerteve të Kanye West, drejtohet nga biznesmenia Anna Subtsheva.Subtsheva e ka mbështetur publikisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Në qershor 2023, ajo publikoi në rrjetet sociale një fotografi nga Donetsku, të cilën e shoqëroi me një koment ku e përshkruante qytetin si të bukur kur nuk sulmohej nga ata që ajo i quante “ukrofashistë”. Subtsheva ka marrë gjithashtu nga komandanti i një njësie ushtarake në Donetsk medaljen “Pjesëmarrëse në operacionin special ushtarak”, emërtimi që autoritetet ruse përdorin për luftën në Ukrainë.
Ajo ka deklaruar se Kanye West dëshiron prej kohësh të takojë personalisht Vladimir Putinin.
“Është ende e vështirë të thuhet se me kë do të takohet, por një ëndërr e kahershme e zotit West është një takim me presidentin tonë Vladimir Putin, për të cilin ai ka shprehur simpatinë e tij prej disa vitesh”, deklaroi Subtsheva.
Sipas artikullit, në Kremlin nuk e kanë përjashtuar kategorikisht një takim të tillë, nëse ai mund të përshtatet me kalendarin e presidentit rus.
Koncert apo operacion rekrutimi?
Por pjesa më e fortë e artikullit lidhet me datat e koncerteve. Gazetari Sergei Smirnov, kryeredaktor i medias opozitare ruse “Mediazona”, ka kërkuar që vëmendja të përqendrohet pikërisht te 10 dhe 11 tetori. Koncertet përkojnë me periudhën e rekrutimit të vjeshtës për shërbimin ushtarak në Rusi.
Smirnov pretendon se koncerti mund të përdoret për shpërndarjen e fletëthirrjeve ushtarake.
“Kam informacione se të gjithë vizitorët meshkuj të koncertit të Kanye West, kur të hyjnë në stadium, do të marrin një fletëthirrje për komisionin ushtarak”, deklaroi ai në kanalin e tij në Telegram.
Sipas Smirnov, ky është edhe qëllimi për të cilin Ye është ftuar në Rusi dhe arsyeja pse atij i është ofruar një pagesë më e lartë.
“Do të jetë një operacion i madh special i Kremlinit për mobilizim”, pretendon gazetari.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse koncertet e 10 dhe 11 tetorit do të zhvillohen në Gazprom Arena. Organizatorët e “Say Agency” u kanë kërkuar fansave të presin njoftimet zyrtare dhe këmbëngulin se koncerti do të mbahet. Sipas tyre, parapagimi për Kanye West është kryer tashmë.
Nëse koncertet zhvillohen, Ye do të mbërrijë në Rusi në një moment kur shumë artistë rusë nuk lejohen të performojnë për shkak të qëndrimeve të tyre kundër luftës, ndërsa organizatorja e koncerteve të tij është dekoruar për mbështetjen ndaj trupave ruse në Ukrainë. Dhe mbi këtë sfond qëndron pretendimi i “Mediazona”: dhjetëra mijëra meshkuj mund të mblidhen në të njëjtin stadium pikërisht gjatë periudhës së rekrutimit ushtarak rus.
Marrë nga Der Spiegel