Presidenti amerikan, Donald Trump, ka tërhequr SHBA-në nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë shumë prej atyre që punojnë për të luftuar ndryshimet klimatike.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se vendimi u mor sepse këto entitete “nuk u shërbejnë më interesave amerikane” dhe promovojnë “agjenda joefektive ose armiqësore”.
Trumpi tashmë u ka hequr financimet shumë organizatave shumëpalëshe që nuk i pëlqen, dhe më parë ka hedhur poshtë konsensusin shkencor mbi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, duke i quajtur ato një “mashtrim”.
“Këto tërheqje do t’i japin fund financimit dhe përfshirjes së taksapaguesve amerikanë në entitete që avancojnë agjenda globaliste mbi prioritetet e SHBA-së”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, shumë nga këto organizata promovonin “politika radikale klimatike, qeverisje globale dhe programe ideologjike që bien ndesh me sovranitetin dhe forcën ekonomike të SHBA-së”.
Organizata të tjera të OKB-së të prekura përfshijnë ato që punojnë për paqen dhe demokracinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënës dhe fëmijës, si dhe dhunën seksuale në konflikt.
Ndërsa Kushtetuta e SHBA-së i lejon presidentët të bashkohen me traktate “me kusht që dy të tretat e senatorëve të pranishëm të bien dakord”, ajo nuk përcakton se çfarë ndodh në rast tërheqjeje, gjë që do të thotë se veprimi i Trumpi mund të përballet me sfida ligjore.
E drejtoresha e lartë e politikave, Rachel Cleetus, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se kjo ishte një tjetër shenjë se administrata, të cilën ajo e përshkroi si “autoritariste” dhe “kundër shkencës”, ishte e vendosur të sakrifikonte mirëqenien e njerëzve dhe të destabilizonte bashkëpunimin global.
Vitin e kaluar, Trumpi e ka tërhequr sërish SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën që është përpjekja më e rëndësishme në botë për të përballuar rritjen e temperaturave, dhe ka refuzuar të dërgonte një delegacion në samitin klimatik COP30 në Brazil.
Marrë nga AFP