Ukraina ka ndryshuar ndjeshëm “planin e paqes” të SHBA-së për Ukrainën, duke hequr disa nga kërkesat e Rusisë, thanë njerëz të njohur me negociatat, ndërsa udhëheqësit evropianë paralajmëruan sot se nuk mund të arrihet një marrëveshje shpejt.
Plani origjinal prej 28 pikash SHBA-Rusi u hartua muajin e kaluar nga Kirill Dmitriev, i dërguari special i Vladimir Putinit, dhe përfaqësuesi i Trumpit, Steve Witkoff. Ai i bën thirrje Ukrainës të tërhiqet nga qytetet që kontrollon në rajonin lindor të Donbasit, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të mos bashkohet me NATO-n.
Ata thonë se nuk mund të ketë njohje të tokës së sekuestruar nga Rusia ushtarakisht dhe shtojnë se Kievi duhet të marrë vendimet e veta nëse do të bashkohet me BE-në dhe NATO-n, diçka për të cilën Kremlini dëshiron të vërë veton ose të vendosë kushte.
Më pas, Rubio i përshëndeti bisedimet e së dielës si “shumë pozitive”. Duke shkruar në Truth Social, Trump, i cili ditë më parë kishte akuzuar udhëheqjen e Ukrainës se nuk kishte “mirënjohje”, përdori një ton pozitiv.
“A është vërtet e mundur që po bëhet përparim i madh në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës??? Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur. ZOTI E BEKOFTE AMERIKËN!”, shkroi presidenti.
Delegacioni i Ukrainës informoi Zelenskyy-n rreth bisedimeve të hënën, pasi u kthye nga Gjeneva në Kiev. Ata e përshkruan versionin e fundit të planit si më realist. Veçmas, Zelenskyy foli me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, dhe i kërkoi atij të përfshijë vendet europiane në proces. Vance thuhet se u pajtua.
Mbretëria e Bashkuar dhe BE u habitën javën e kaluar kur plani origjinal u zbulua në median amerikane. Sekretari i ushtrisë, Dan Driscoll, miku dhe shoku i klasës J.D Vance në universitet u dërgua në Kiev me një delegacion ushtarak për të informuar Zelenskyy-n mbi përmbajtjen e tij.
Që atëherë, qeveritë europiane kanë kërkuar të rishikojnë dokumentin, i cili duket se është shkruar fillimisht në rusisht. Ata publikuan kundërpropozimet e tyre dje, të cilat bënin thirrje për respektimin e sovranitetit të Ukrainës.
Bisedimet vijnë ndërsa Zelenskyy është në gjendjen e tij më të dobët që nga fillimi i luftës, pas një skandali korrupsioni që çoi në shkarkimin e dy ministrave të tij dhe ndërsa Rusia po bën përparime në fushën e betejës.
Marrë nga The Guardian