Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të hënën se shteti që udhëheq ai është përballur me “tentim të organizuar mirë për puç” në të cilin janë përfshirë “të gjitha institucionet shtetërore”.
Ai ka thënë se për organizim të këtyre aktiviteteve “janë dashur fonde nga jashtë, këshilla politike dhe mësime për t’u mësuar”. Megjithatë, ai nuk ka treguar se prej ku kanë ardhur ato që ai i ka përshkruar si “fonde prej jashtë”.
Duke i komentuar aktivitetet e studentëve gjatë bllokadës, ai ka thënë se ata kanë bërë “gabime çuditërisht të mëdha” dhe që kanë mësuar që “të mos i japin kundërshtarit politik më shumë kohë, sidomos kur është më i shkathët”.
Studentët janë duke bllokuar punën e fakulteteve publike për më shumë se gjashtë muaj, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Ata kanë organizuar protesta për muaj të tërë dhe janë mbështetur nga qindra mijëra protestues, përfshirë punëtorë të organizuar nëpër sindikata, sikurse bujqit, avokatët, aktorët.
Vuçiç ka thënë se shteti do të mundësojë mbajtjen e provimeve për të gjithë nxënësit që duan të regjistrohen nëpër universitete.
“Do të pranoheni nëpër universitete. Fatkeqësisht ne tashmë kemi lejuar shumë gjëra. Njerëzit janë duke na kritikuar me të drejtë, por ne do të tregojmë njëherë e përgjithmonë se shteti është shtet”.
Sipas presidentit serb, shteti ndan 54.8 miliardë dinarë (rreth 500 milionë euro) në vit për edukim të lartë, “dhe atë vetëm që dikush t’i bllokojë fakultetet”.
Ai ka thënë se për këtë arsye, do të ofrohet “mbështetje më e madhe për fakultetet private”.
Millosh Pavlloviç, përfaqësues i studentëve që kundërshtojnë bllokadat, ka thënë se ata janë duke kërkuar vetëm që shteti t’ua mundësojë qasjen në mësime.
Në fillim të majit, studentët që organizojnë bllokadën, kanë shtuar në listën e kërkesave edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sepse konsiderojnë që për shkak të “korrupsionit të rrënjosur”, institucionet nuk po arrijnë të punojnë siç duhet.
Megjithatë, përfaqësuesit qeveritarë e kanë refuzuar këtë kërkesë.
Ata kanë përsëritur disa herë që të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar, derisa akademikët vlerësojnë se diçka e tillë nuk është e vërtetë dhe vazhdojnë me bllokada.
Marre nga BETA.rs