Zhvillime të rëndësishme po shënohen këto ditë në fushën e medias në Itali dhe një prej temave kryesore është blerja e mundshme e gazetës La Repubblica, katër stacioneve private radiofonike dhe gazetës La Stampa nga grupi mediatik grek ANT1.
Sa i përket reagimeve politike, sipas analistëve, qeveria e Giorgia Melonit e sheh pozitivisht këtë zhvillim, edhe pse nuk është shprehur zyrtarisht. Forza Italia, përmes kryetarit të saj dhe ministrit të Jashtëm Antonio Tajani, thekson se “do të ishte më mirë që gazetat të mbeteshin në duar italiane, por në fund të fundit vendos tregu i lirë”. Ndërkohë, qendra e majtë në spektrin e së cilës bëjnë pjesë si La Repubblica ashtu edhe La Stampa kërkon garanci për të ardhmen e punonjësve dhe për pluralizmin e informimit.
Sipas mediave italiane, burime pranë grupit ANT1 kanë bërë të ditur se Italia konsiderohet vend me rëndësi strategjike dhe se do të respektohen pluralizmi dhe autonomia editoriale, duke ruajtur linjën historike të dy gazetave.
Në këtë kontekst nuk mungoi as ndërhyrja e Pier Silvio Berlusconit, djali i ish-kryeministrit italian dhe manjatit të medias.
“Më vjen disi keq që një pjesë e historisë së gazetarisë, informimit dhe botimeve të vendit përfundon në duar të huaja, por nuk dua të gjykoj para se të shoh se çfarë do të ndodhë, sepse blerësi mund të jetë shumë i mirë, të krijojë vende pune dhe të ruajë një linjë në përputhje me historinë e gazetave që janë në shitje”, tha ai.
Marrë nga Corriere della Sera