Tre koncesionet e famshme në shëndetësi, të dhëna 10 vite më parë, afati i të cilave ka përfunduar dhe me letra duhet të menaxhohen nga vetë shteti, po sjellin një tjetër dosje të denjë për Prokurorinë e Posaçme. Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore ka marrë në dorë hemodializën, sterilizimin dhe kontrollin bazë të popullsisë, ndërkohë që edhe pas shtetëzimit, sërish paratë e prokuruara nga ky ent publik po kanalizohen te të njëjta duar.
Gjithçka nisi me sterilizimin, ku megjithëse një pjesë e mirë e ish-zyrtarëve shtetërore janë vënë nën akuzë, sërish Operatori i ka dhënë tenderat “shokëve” të tyre, të cilët pasi ikën nga firma koncesionare hapën kompani. Ndërkohë, e njëjta situatë ndodhi edhe me hemodializën, ku firma që menaxhoi për 10 vite shërbimin dhe mori nga shteti një shumë rreth 90 milionë euro, fitoi tenderin prej rreth 50 milionë eurosh.
I njëjti Operator shtetëror, i cili pavarësisht lëkundjeve të ndryshimit ministres së shëndetësisë, ka në “dorë” disa tendera për kontrollin bazë të popullsisë, të hapura disa javë më parë. Dokumentet e hulumtuara nga Vox News tregojnë se paratë pritet të kanalizohen sërish te firmat që kanë pasur koncesionin, ndërkohë që shuma totale e tenderuar deri më tani është plot 18 milionë euro. Kërkesat e veçanta të vetë shtetit duket se i përshtaten më së miri firmës që menaxhoi këtë shërbim, mjaft të debatuar, duke qenë se të gjitha strukturat e shtetit u vunë në shërbim të privatit.
Disa ditë më parë, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, ka hapur një tender prej 18 milionë eurosh me objekt “blerje kite, reagente dhe materiale mjekësore ndihmëse në kuadër të programit të kontrollit mjekësor bazë”, i ndarë në lote.
Kërkohen kite ose reagent për pajisjet prodhuese Abbot, Roche Diagnostic, Sysmex apo edhe teste diagnostike për përcaktimin e gjakut okult. Është kërkuar edhe blerje materiale mjekësore për programin bazë. Fondi limit i procedurës është plot 1,635,852,309 lekë, ose nëse do ta konvertojmë në euro, shuma shkon në plt 18 milionë euro. Në dokumente përcaktohet se afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 28 shtatr 2026, ora 14:00.
Prej gati një dekade, kompania “3p Life”, me pronare biznesmenen Vilma Nushi, mori nga shteti një shumë prej rreth 100 milionë eurosh për kontrollin bazë të popullsisë, ose siç njihej ndryshe check up. Kompania duhet të linte trashëgimi laboratorët mjekësore në shumë qytete të Shqipërisë, ndërkohë që pas shtetëzimit, këtë shërbim e ka marrë në “dorë” Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore.
Në tenderin e fundit, ky Operator ka vendosur disa kritere që i përshtaten totalisht firmës koncesionare. Një ndër kriteret është “kapaciteti ekonomik dhe financiar”.
“Për të provuar se operatorët ekonomikë kanë kapacitetin e nevojshëm ekonomik dhe financiar për të zbatuar kontratën, duhet të paraqesin vërtetim për xhiron vjetore për vitet financiare (2023, 2024, 2025), ku vlera e xhiros për të paktën një nga vitet e periudhës së kërkuar duhet të jetë jo më e vogël se 40 % e vlerës së fondit limit për secilin prej loteve që konkurrohet/shumatores së loteve për të cilat konkurron”, thuhet në dokumente.
Nëse do t’i shohim lotet, bëhet fjalë për kite dhe reagente për pajisjet që ka pasur në përdorim dhe të drejtën e përdorimit firma koncesionare.
Si mund të kenë xhiro vjetore firmat e tjera me këto pajisje?!
Kriteri tjetër është “kapaciteti teknik”.
“Operatori ekonomik duhet të paraqesë dëshmi për furnizimet e mëparshme të ngjashme të kryera gjatë 3 (tre) viteve të fundit nga data e shpalljes së njoftimit të kontratës, në vlerën jo më pak se 20 % e vlerës së fondit limit për secilin prej loteve që konkurohet/shumatores së loteve për të cilat konkurron”, thuhet në dokumente.
Sërish e njëjta situatë që duket se “përjashton” firmat e tjera.
Në fund, institucioni shtetëror shkruan se “operatori ekonomik duhet të paraqesë autorizim për tregtim të pajisjeve mjekësore, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.
A mos vallë këtë autorizim e ka vetëm firma koncesionare?!
Marrë nga VoxNews.al