Një natë makthi kanë kaluar banorët e Kerateas në lindje të periferisë së Atikës për shkak të një zjarri të madh që ka shkrumbuar dhjetëra shtëpi e tokë pyjore dhe vazhdon të djegë për të dytën ditë i ndihmuar edhe nga erërat që fryjnë me shpejtësi deri në 80 km/orë.
Zjarri në Keratea shpërtheu rreth orës 14:00 të mesditës të së premtes dhe për fat të keq pati si pasojë tragjike vdekjen të një të moshuari, që u gjet i karbonizuar brenda shtëpisë së tij, e cila ishte përfshirë nga flakët.
Në betejën me flakët vazhdojnë të operojnë më shumë se 270 zjarrfikës me 77 mjete , të mbështetur nga 13 avionë dhe 15 helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht.
Përveç forcave vullnetare ndihmojnë për shuarjen e zjarrit edhe një ekip me zjarrfikës nga Rumania.
Banorët e zonës kanë marrë dhjetëra mesazhe nga numri i emergjencës 112 për tu larguar prej shtëpive të tyre. Gjithashtu zjarrfikësit dhe forcat policore kanë ndihmuar gati 400 persona të shkojnë në zona të sigurta.
Në të gjithë Greqinë, më shumë se 50 zjarre bujqësore dhe pyjore kanë shpërthyer në 24 orët e fundit – në një nga ditët më të këqija për zjarret këtë verë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se rreziku i shpërthimeve të mëtejshme të zjarreve mbetet i lartë për sot, veçanërisht në Atikë, Peloponez dhe Greqinë perëndimore.
Marrë nga Kathimerini.gr