Popullsia e Tiranës në vitin 2023 llogaritet në 598,176 banorë me një dendësi prej 539 banorë/km2, përkatësisht pothuaj 25% e popullsisë së Shqipërisë. Sipas të dhënave të marra nga rezultatet e Cens për vitin 2023, të bëra publike në tetor 2024.
Të lindurit në territorin e Qarkut Tiranë përbëjnë 51.84% të banorëve aktualë me vendbanim të zakonshëm Bashkinë e Tiranës (sipas fotografisë demografike të datës 18 shtator 2023, ora 00:00).
Pas të lindurve në Qarkun Tiranë, banorët e lindur në qarqet Dibër, Korçë, Fier e Berat përbëjnë përkatësisht 6.5%, 6%, 5.06% dhe 5.05% të banorëve më të shumtë në numër brenda kësaj bashkie.
Sipas relacionit, Bashkia Tiranë tashmë vlerësohet si qyteti i shumë mundësive, gjë që reflektohet edhe për arsyen se 13,432 banorë të cilët kanë jetuar jashtë shtetit janë kthyer në Tiranë në periudhën 2019 – 2023.
Nga 598,176 banorë, 46,077 janë fëmijë në moshë për të ndjekur kopshtin apo çerdhen, pra më shumë se ¼ e fëmijëve në të gjithë vendin. Gjithashtu janë 31,136 fëmijë që aktualisht janë duke ndjekur arsimin fillor (25.44% e gjithë fëmijëve që ndjekin arsimin fillor në Republikën e Shqipërisë), 25,593 fëmijë që po ndjekin shkollën 9-vjeçare dhe 20,059 fëmijë që ndjekin shkollën e mesme (23.3% e të rinjve që ndjekin arsimin e mesëm).
Numri i familjeve është 171,785, ku 53,136 familje janë çifte të martuara ose që bashkëjetojnë pa fëmijë, 98,897 familje janë çifte të martuara ose që bashkëjetojnë me fëmijë dhe 19,752 familje janë familje të përbëra nga prindër të vetëm. Pjesa më e madhe e popullsisë rreth 67% i përket grupmoshës 15-64 vjeç, grupmoshë kjo që ka vlerë në llogaritjen e forcave të punës.
Sipas rezultateve po të Cens 2023, 25,788 banorë të grupmoshave të ndryshme janë me aftësi të kufizuar.
Bashkia e Tiranës me një sipërfaqe totale prej 1,110.03 km2 kufizohet në veri me bashkitë Vorë, Kamëz dhe Krujë, në verilindje me bashkinë Klos, në lindje me bashkitë Bulqizë dhe Librazhd, në jug me bashkitë Elbasan dhe Peqin dhe në perëndim me bashkitë Rrogozhinë, Kavajë, Durrës dhe Shijak.
Kjo bashki përbëhet nga 24 njësi administrative si dhe 3 Lagje, të cilat janë: 11 Njësitë Administrative Urbane, zonat rurale si Petrela, Farka, Dajti, Zall-Bastari, Bërzhita, Krraba, Baldushku, Shëngjergji, Vaqarri, Kashari, Peza, Ndroqi, Zall Herri, Lagja 12, Lagja 13 dhe Lagja 14. Në territorin e kësaj bashkie ka gjithsej 135 fshatra.
Marrë na Monitor