Kjo në foto është drejtoresha e Drejtorisë Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Korçë, Vinjola Rota. Një drejtori që fillon në Korçë, vazhdon në Elbasan dhe përfundon në Berat, duke pasur në varësi qindra shkolla në 3 qarqe të mëdha. Një ndarje absurde, ku për një letër një mësues në fshatrat e thella të Skraparit duhet të bëjë mijëra kilometra për të shkuar në DRAP Korçë.
Nga njëra anë kryeministri dhe qeveria e tij trumbetojnë me të madhe rritjen e pagave, duke dalë edhe ballëlartë në komunikime dhe nga ana tjetër vendimmarrja e Rotës, e cila zhbën gjithë këtë propagandë. Duket se Vinjola ka marrë atributet e ministres dhe kryeministrit, teksa këta të fundit ende s’kanë bërë asnjë lëvizje.
E themi në këtë kohë, pasi Rota i ka “ndarë” punët, ku në kohën e qershorit, korrikut dhe gushtit merret me emërimet e mësuesve, ku “kandidatët” duhet të paraqiten te disa persona të autorizuar prej saj për t’u emëruar apo transferuar. Në periudhën e shtatorit dhe tetorit Rota merret me emërimet e psikologëve, duke e kthyer në një “biznes” të mirëfilltë, pasi ajo shumicën i emëron sipas preferencave, duke bërë edhe provime formale dhe me dyshime të forta se janë të paracaktuar (më vonë do merremi me këto provime).
Dhe vijmë në kohën e tanishme, shkurt e mars, ku ajo merret me organizimin e tenderëve ku vëmendja është te përzgjedhja e firmave që bëjnë transportin, në të tria qarqet.
Sipas burimeve të VoxNews, procedurat bëhen formale dhe janë një shpenzim i kotë i parave. Edhe në vitin 2025, sipas dokumenteve që disponon redaksia jonë, ajo ka parashikuar të bëjë tenderin “trajnime për drejtuesit dhe mësuesit e IAP-ve të DRAP Korçe”. Fondi është plot 100 mijë euro.
Ku i gjen gjithë këto para DRAP Korçë për trajnime? A janë realizuar dhe për çfarë shërbejnë?
Jo vetëm trajnime, por drejtoresha Rota ka harxhuar edhe 1 milionë lekë për të spërkatur zyrën e saj nga mushkonjat dhe brejtësit. Të jetë kaq e rëndësishme?!
Marrë nga VoxNews.al