Nikoll Radaçi, drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin fatal me dy fëmijë të vdekur dhe një tjetër të plagosur rëndë, është vendosur nën masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Ai u shfaq me kokën ulur teksa hynte në ambientet e gjykatës, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 4 maj në lagjen nr. 15 të Durrësit.
Sipas hetimeve paraprake, tre fëmijë po luanin me top në trotuar kur 57-vjeçari, i dyshuar se ndodhej në gjendje të dehur, humbi kontrollin e automjetit dhe i përplasi.
Si pasojë e aksidentit, dy të mitur, E.M., 12 vjeç, dhe K.N., 10 vjeç, humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një fëmijë 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe po merr trajtim mjekësor.
Burime paraprake bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit ishte denoncuar më herët nga banorët e zonës për sjellje të rrezikshme në rrugë, si dhe ishte ndëshkuar me gjobë nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe debat politik, ku është kërkuar ashpërsim i masave në Kodin Rrugor për parandalimin e aksidenteve të ngjashme.
Ndërkohë, në video të mbërritura në redaksinë e “Syri”-t, shfaqen edhe familjarët e viktimave, përfshirë babain e njërit prej fëmijëve i cili fatkeqësisht ndërroj jetë (Enea Muçaj).
Marrë nga Syri.net