Autoritetet spanjolle kanë arrestuar nëntë shtetas shqiptarë, të moshave 21 deri në 46 vjeç, të dyshuar për kultivim dhe trafikim të marijuanës në provincën e Zaragozës.
Sipas mediave spanjolle, në kuadër të operacionit të koduar “RIOG”, u kryen 8 kontrolle në ambiente industriale dhe banesa, ku u sekuestruan mbi 20 kilogramë marijuanë gati për shpërndarje, si dhe më shumë se 2 mijë bimë kanabisi.
Rrjeti kriminal dyshohet se kishte vepruar prej muajsh në depo industriale dhe banesa të shpërndara në disa komuna përreth Zaragozës, përfshirë Cuarte de Huerva, San Mateo de Gallego, La Puebla de Alfinden dhe Zuera. Plantacionet ishin të pajisura me teknologji të avancuar dhe masa të forta sigurie për të shmangur zbulimin.
Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan edhe lidhje të paligjshme me rrjetin elektrik, të cilat kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej mbi 210 mijë eurosh, sa konsumi vjetor i më shumë se 250 shtëpive.
Hetimet kishin nisur në shtator të vitit 2024 nga Garda Civile e Casetas, pas dyshimeve për përdorimin e ndërtesave industriale për kultivim kanabisi. Megjithëse aktiviteti kriminal ishte ndërprerë përkohësisht, rrjeti e rifilloi veprimtarinë në fund të verës, çka çoi në ndërhyrjen përfundimtare të autoriteteve.
Sipas burimeve hetimore, organizata kishte një strukturë të mirëorganizuar hierarkike, me drejtues që menaxhonin logjistikën dhe financat, bashkëpunëtorë përgjegjës për transportin e materialeve dhe persona që jetonin brenda plantacioneve për t’i mbikëqyrur ato. Gjatë bastisjeve u sekuestruan gjithashtu shuma parash, telefona celularë dhe dokumente të ndryshme.
Marrë nga Newsbomb.al