Alket Rizai, shqiptari i njohur si ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit grek Vasilis Paleokostas dhe i arratisur dy herë me helikopter nga burgu, është përfshirë në një incident me armë zjarri në një bar plazhi në Anavyssos të Athinës, në orët e para të mëngjesit.
Kronologjia e ngjarjes nisi rreth orës 05:15 të mëngjesit, kur policia mori një njoftim për të shtëna me armë në vendngjarje. Kur efektivët mbërritën aty, nuk gjetën asnjë person, por vetëm dy gëzhoja dhe njolla gjaku.
Sipas hetimeve, konflikti nisi kur pronari i lokalit uroi që të ulte muzikën pasi klientët kishin filluar të largoheshin. Në atë moment, Alket Rizai doli në parking dhe e vuri muzikën me volum të lartë në automjet. Pronari doli jashtë për t’i tërhequr vëmendjen nga frika e ndërhyrjes së policisë për zhurmën.
Debati degjeneroi në sherr, ku ndërhynë edhe persona të tjerë të stafit. Gjatë përplasjes, Rizai dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në ajër, ndërsa më pas ka hapur zjarr edhe një shtetas afgan, që dyshohet si pjesë e sigurisë së lokalit, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim. Si pasojë e të shtënave dhe rikoshetit të plumbave, mbetën të plagosur dy punonjësit e lokalit.
Pas ngjarjes, Alket Rizai dhe dy miqtë e tij u larguan me shpejtësi me makinë, ndërsa pronari i biznesit është arrestuar për dhënie të deklaratës së rreme.
Ngjarja ka vënë në lëvizje autoritetet greke, pasi pikërisht sot në mëngjes Alket Rizai kishte afatin e fundit për t’u kthyer në Burgun e Domokos, në të kundërt ai do të shpallet zyrtarisht i arratisur.
Marrë nga Kathimerini.gr