Pas një muaji agjërimi e sakrificash shpirtërore, besimtarët myslimanë kremtojnë sot (30 mars) festën e Fitër Bajramit.
Kreu i Komunitetit Mysliman, mes të tjerash në fjalën e tij uroi të gjithë besimtarët anëmbanë dhe gjithashtu që “Zoti t’u kishte pranuar agjërimin dhe t’i ndihmonte në përballimin e sfidave të jetës”.
Edhe ditën e djeshme Spahiu uroi besimtarët, duke kujtuar këtë ditë të madhe për besimin islam:
“Festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë, por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit të varfërit, të sëmurët, të moshuarit të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit japin edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë. Fitër Bajarami le të na shërbejë si një moment i vetëdijësimi për dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore. Qoftë ky Bajram, një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj”, u shpreh ai.
Edhe Presidenti Bajram Begaj uroi dje besimtarët myslimanë duke theksuar se “përmbyllja e agjërimit, përfundimi i muajit të sakrificës, bëhet me festën e mrekullueshme të Bajramit, me festën e gëzimit, paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit”.
Pritjet tradicionale organizohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
Marrë nga Top Channel