Nga viti 2029 pritet të ndryshojë mënyra se si do të taksohen apartamentet dhe banesat në Shqipëri. Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për taksën mbi pasurinë e paluajtshme, që parashikon kalimin drejt një sistemi të bazuar në vlerën e tregut të pronës.
Projektligji parashikon që taksa mbi pasurinë e paluajtshme të mbetet taksë vendore dhe vjetore. Të ardhurat do të shkojnë për bashkinë ku ndodhet prona, ndërsa vlera e taksueshme do të përcaktohet mbi bazën e vlerës së vlerësuar të pasurisë, e cila duhet të jetë e përafërt me vlerën e tregut.
Pika më e rëndësishme për familjet është diferencimi i banesës së parë. Sipas projektligjit, për banesën e parë të individit do të aplikohet një zbritje prej 50% të vlerës së vlerësuar të saj, por brenda një pragu maksimal të përcaktuar në ligj.
Nëse një qytetar ka vetëm një banesë, zbritja për banesën e parë do të aplikohet automatikisht. Pra, ai nuk do të ketë nevojë të bëjë vetëdeklarim në bashki.
Kjo do të thotë se apartamenti i parë do të ketë trajtim më të lehtë tatimor, ndërsa banesat e dyta, apartamentet bosh apo pronat e tjera të mbajtura për investim mund të paguajnë më shumë.
Projektligji sjell një tjetër ndryshim të rëndësishëm për apartamentet që përdoren për turizëm. Banesat që përdoren për të ofruar akomodim për turistët do të klasifikohen si “ndërtesa për veprimtari ekonomike”. Kjo kategori pritet të ketë nivel më të lartë taksimi sesa banesat e përdorura vetëm për qëllime banimi.
Sipas relacionit, për ndërtesat për banim niveli i taksës parashikohet në intervalin 0.1% deri në 0.2% të vlerës së taksueshme. Për ndërtesat për veprimtari ekonomike, niveli parashikohet nga 0.15% deri në 0.25%. Shkalla konkrete do të përcaktohet sipas rregullave të ligjit dhe vendimmarrjes vendore brenda kufijve të përcaktuar.
Në praktikë, një apartament i përdorur si banesë e parë do të përfitojë ulje të ndjeshme në bazën e taksimit. Ndërsa një apartament i dytë apo një pronë e përdorur për qira ditore mund të trajtohet me barrë më të lartë.
Projektligji përcakton edhe se kush do ta paguajë taksën. Si rregull, taksapagues do të jetë pronari i regjistruar i pasurisë. Në mungesë të regjistrimit, përgjegjës do të jetë personi që disponon dokumentin e pronësisë. Për pronat pa dokument pronësie, detyrimin do ta ketë poseduesi i pasurisë.
Për ndërtesat e papërfunduara, taksa do të varet nga statusi i objektit. Nëse ndërtesa është në ndërtim me leje, përgjegjës për pagesën do të jetë zhvilluesi. Por nëse njësi të veçanta janë vënë në përdorim apo u janë kaluar personave të tjerë, detyrimin do ta kenë pronarët ose poseduesit e këtyre njësive.
Nga taksa përjashtohen disa kategori sociale. Projektligji parashikon përjashtim për banesat e deklaruara si vendbanim të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe për banesat e kryefamiljarëve që përfitojnë vetëm pension pleqërie, pension invaliditeti apo pension social, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistë ose persona të paaftë për punë në ngarkim të tyre.
Përjashtohen gjithashtu banesat sociale në pronësi të pushtetit vendor, si dhe banesat që përdoren si banesa sociale në bazë të marrëveshjeve me bashkitë.
Sistemi i ri nuk pritet të hyjë menjëherë në zbatim. Sipas relacionit, taksimi i njësive të ndërtesave mbi bazën e vlerës së tregut do të nisë nga viti tatimor 2029, ndërsa për parcelat nga viti 2031. Deri atëherë do të ketë një periudhë kalimtare.
Qeveria argumenton se reforma synon ta bëjë sistemin më të drejtë, pasi sot prona me vlera të ndryshme tregu mund të paguajnë detyrime të ngjashme. Por për pronarët, ndryshimi më i ndjeshëm do të jetë fakti se apartamenti i parë diferencohet, ndërsa pronat e tjera do të jenë më të ekspozuara ndaj taksimit sipas vlerës së tregut.
Marrë nga Skyweb.al