Ofronin punë sekrete në Shqipëri, përdornin poligrafin për detektimin e gënjeshtrës dhe më pas dhunë sapo i angazhonin në punë.
Dy prej viktimave të trafikuara që u njohën me trafikantët përmes telegram ishin në listën e dëshmitarëve që u pyetën në Gjykatën e Posaçme në vazhdën e mbledhjes së provave, të tjerë do të pyeten në vazhdim.
Kjo çështje nën hetim nga SPAK për akuzën e trafikimit të personave të rritur, është në fazën e sigurimit të provës për të parandaluar ndryshimin e tyre. Ndonëse hetimet nuk janë finalizuar, Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar që duhet të administrohen deklaratat në një seancë me dyer të mbyllura dhe përpara një gjyqtareje të Posaçme ku dhe po sillen të gjithë shtetasit që mbahen në një qendër për trajtimin e viktimave.
Autoritetet u aktivizuan pas ankesës nga ambasada e Ukrainës që bazohej në informacionin e përcjellë nga Volodymir Savinov i cili sinjalizonte se nipi i tij ukrainas po detyrohej të punonte me dhunë, që është përdorur dhunë ndaj të trafikuarve, tha në gjykatë edhe ukrainasi tjetër Kiril, i cili tha se ishte dhunuar ngaqë kishte nxjerrë një informacion dhe madje ishte filmuar, një provë që ishte dërguar në Varshavë.
Kur polica shkoi në koordinatat e referuara gjeti në një sallon gjashtë persona me kompjuter përpara. Dhe kur u mor në pyetje nipi i ankuesit, ai kujtoi se e gjeti punën përmes Telgramit, dhe se u intervistua nga një person me nofkën Fresku. Ajo që ju tregua të riut pasi u punësua, ishin videot e frikshme të dhunës ku dukeshin punëdhënësit se si thyenin gjymtyrët e të punësuarve.
Puna që dëshmojnë deri më tani viktimat e trafikuara është ajo e rekrutimit të shtetasve për të kryer transport droge që më pas nëse i bindnin, i referonin tek dy persona me nofkën Mustang dhe Kika. Gjatë qëndrimit në Shqipëri të rinjve u ishin hequr pasaportat që mos të arratiseshin.
SPAK po këqyr 27 telefona ndërsa ka gjetur edhe 24 pasaporta që iu përkasin të rinjve, që dyshohet se janë punësuar nga një organizatë kriminale jashtë vendit. Deri më tani janë identifikuar dhe janë nën hetim shtetasit Nazar Khamulio dhe Mark Petrenko, dhe një person i identifikuar nga viktimat si Oleh, i cili njihej me pseudonimin ‘E premte”.
Ndërkohë që një tjetër, siç tregojnë ukrainasit, me emrin Karols Oskiera dhe me nofkën ‘veterineri’ ishte larguar në Armeni.
Marrë nga Top Channel