Deri më 31 janar, 61 bashkitë në vend duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Ekonomisë projektet e tyre mbi programet sociale të strehimit.
Kështu Programi Kombëtar i Strehimit Social vijon punën për të ofruar zgjidhje për familjet në nevojë me të ardhura të ulëta ekonomike. Gjatë vitit 2024, nga ky program përfituan 847 familje në 22 bashki, por puna vazhdon për të sjellë më shumë shpresë dhe siguri për ata që kanë më shumë nevojë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije se programi do të t’iu vijë në ndihmë qytetarëve edhe gjatë 2025-ës.
“Viti 2025 ka gjetur shumë prej qytetarëve me të ardhura të ulëta ekonomike në shtëpi të reja, të restauruara, larg shiut dhe të ftohtit”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.
Qeveria vendos ta shpërndajë para kohe! Ja kur do të mund ta marrin pensionistët bonusin e pranverës
Ministria e Ekonomisë theksoi se vijon të jetë e hapur thirrja për aplikime në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit Social 2025-2026, duke shtuar se bashkitë kanë mundësinë të përfitojnë financime për projekte që përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe ofrojnë siguri për qytetarët.
Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve mund të përzgjidhet brenda intervalit 100– 120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare.
“Banesat sociale me qira regjistrohen në pronësi të subjektit që e ka financuar. Kur banesat sociale me qira financohen tërësisht nga buxheti i shtetit ose bashkërisht nga buxheti i shtetit dhe nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, ato regjistrohen në zyrën vendore të regjistrimit të pronave, në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose të institucionit publik të parashikuar në nenin 72, shkronja ‘g’, me shënimin përkatës për marrëveshjen kufizuese që ndalon tjetërsimin e pasurisë”,-thuhet në ligj.
Marrë nga Gazeta-shqip.com