Në tremujorin e dytë të 2026-ës, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri arriti në 92.150 lekë, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, të përpunuara nga informacioni administrativ i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është 9.8%.
Trendi afatgjatë tregon një ecuri të qëndrueshme në rritje: që nga tremujori i dytë i 2023-it, kur paga mesatare ishte rreth 70.9 mijë lekë, niveli është ngjitur pothuajse në çdo tremujor, duke shënuar një rritje prej rreth 30% brenda tre vjetësh.
Financat dyfishojnë mesataren kombëtare
Aktivitetet financiare dhe të sigurimit mbeten sektori me pagesën më të lartë, me një mesatare prej 187.267 lekësh në muaj; rreth dy herë e gjysmë mesatarja kombëtare, ose 103% mbi të. Informacioni dhe komunikacioni renditet i dyti, me 143.528 lekë, rreth 56% mbi mesataren e vendit.
Drejtuesit paguhen më shumë, por zejtarët po e ngushtojnë hendekun
Sipas klasifikimit të profesioneve (ISCO-08), menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë vazhdojnë të kenë pagën mesatare më të lartë, 141.168 lekë (53% mbi mesataren kombëtare), të ndjekur nga specialistët me arsim të lartë, me 119.152 lekë (29% mbi mesataren).
Por edhe këtu, grupet me rritjen më të shpejtë vjetore nuk janë ato me nivelin më të lartë të pagës: “Zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to” shënuan rritjen më të madhe, +16.0%, të ndjekur nga “Punëtorët (profesione elementare)”, me +15.1%. Praktikisht, profesionet me pagesë më të ulët po rriten me ritëm më të shpejtë se ato drejtuese, një sinjal i mundshëm ngushtimi të hendekut të pagave, që mund të lidhet me mungesën e fuqisë punëtore në zejet dhe punët elementare, ndikuar edhe nga emigrimi.
Struktura e pagave mbetet e polarizuar
Rreth 25.8% e të punësuarve me pagë vazhdojnë të përfitojnë pagën minimale, ndërsa kategoria e pagave të larta (mbi 120.000 lekë) arriti në 17.1%, në rritje të mëtejshme. Shpërndarja e punonjësve mbetet e përqendruar te skajet e intervaleve të pagave, domethënë numër i konsiderueshëm punonjësish ndodhen ose pranë pagës minimale, ose në kategoritë e larta. Krahasuar me tremujorin e parë, grupi i pagave mesatare-të larta (60.001–120.000 lekë) ishte ai që fitoi peshën më të madhe.
Një element metodologjik i rëndësishëm për të kuptuar këto shifra: paga minimale në vend u rrit nga 40.000 në 50.000 lekë (+25%) që nga tremujori i parë i 2026-ës. Ky ndryshim rregullator ndikon drejtpërdrejt në statistikat e pagave për punonjësit me të ardhura më të ulëta dhe mund të shpjegojë pjesërisht rritjet e larta të vërejtura te disa sektorë dhe profesione me pagesë të ulët, si ndërtimi apo profesionet elementare. Me fjalë të tjera, jo çdo rritje e regjistruar reflekton domosdoshmërisht kërkesë më të lartë në treg, një pjesë e saj vjen thjesht nga ngritja e pragut minimal ligjor.
Marrë nga Businessmag.al