Duke filluar nga data 1 Prill 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar prej 50 Euro.
Kjo është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve kufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 Shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton Jeshil” 1-vjeçar me Malin e Zi.
Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 Euro, e cila mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut.
“Kartoni Jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.
Marrë nga Monitor