Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e një reforme të re në menaxhimin e mbetjeve, të cilën e cilësoi si hap vendimtar për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në qendër të kësaj reforme është krijimi i një Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, që do të marrë përsipër grumbullimin dhe trajtimin në të gjithë territorin e vendit.
Kryeministri shprehu keqardhje që edhe pse vërehen përmirësime në disa zona, si në Himarë, mungon ende ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe përmirësimet në trajtimin real të mbetjeve. Rama e cilësoi mjedisin si “kapitullin më të vështirë dhe sfidues të negociatave për anëtarësim në BE”, duke kërkuar angazhim nga të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës publike.
“Me Himarën dhe më tej gjërat kanë shkuar më mirë se vitin e kaluar, por nevojitet një ritëm më i lartë reformash ligjore dhe masash konkrete. Të gjithë, pa përjashtim, duhet të ndërgjegjësim se ky është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE,” u shpreh Rama.
Projekti i ri parashikon krijimin e një tregu të centralizuar të shërbimeve të mbetjeve, ku bashkitë do të blejnë shërbimin nga operatori kombëtar. Kjo nënkupton ndryshim të modelit financiar të menaxhimit, si dhe ngritjen e një fondi të posaçëm për ekonominë e mbetjeve, që pritet të gjenerojë investime në riciklim dhe teknologji të trajtimit.
Sipas qeverisë, harmonizimi me direktivat europiane është thelbësor jo vetëm për anëtarësimin, por edhe për të përmirësuar cilësinë e jetës, për të krijuar vende pune në industrinë e riciklimit dhe për të reduktuar kostot afatgjata të menaxhimit të mbetjeve.
Marrë nga Monitor