Policia e Shtetit ka dalë me një plan masash lidhur me garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit elektoral si dhe për parandalimin e krimeve zgjedhore.
Policia bën me dije se plani i masave konsistoi në disa faza, si trajnimi i punonjësve të Policisë, për detyrat që do të kryenin gjatë zhvillimit të procesit elektoral, bashkëpunimi me KQZ-në, për detyrimet e Policisë që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, bashkëpunimi me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe me SPAK, bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe mbulimi me shërbime policore, i të gjitha aktiviteteve elektorale dhe objekteve zgjedhore.
Në bashkëpunim me OSBE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, njoftohet se janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve. Ndërkohë, gjatë fushatës elektorale, u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Në njoftimin e mëposhtëm thuhet se Policia e Shtetit tashmë ka marrë në ruajtje objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ, që në momentin që kanë shkuar materialet zgjedhore, si dhe kryen shërbim në momentin që largohet komisioni i KZAZ-së nga objekti.
Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që do të merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë. 5316 punonjës policie dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve.
Ditën e diel, e cila është dita e zgjedhjeve, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00. Më datë 11.05.2025, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.
Marrë nga Dosja.al