Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.
Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe Zv/Presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar presion verbal dhe fizike teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar, ish-sportistin e Rusisë që prej më shumë se një viti garon për ngjyrat kuqezi.
Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala ‘tradhtar’ për Chermen Valiev.
“KOKSH dënon me forcë këtë gjest dhe do të vërë në dijeni të gjitha organizmat Olimpike Botërore, për fyerjen dhe dhunimin e sportistit, gjatë kësaj ceremonie të rëndësishme sportive”, thuhet në reagimin e Komitetit Olimpik Shqiptar.
Marrë nga Dosja.al