Disa institucione janë vënë në “garë” se kush përgjon më shumë, që nga BKH-ha, SPAK-u, Policia e Shtetit, Garda e Republikës apo edhe Prokuroria e Përgjithshme. Në gjithë këto institucione ka pajisje dhe sisteme që arrijnë të përgjojnë këdo, teksa kohët e fundit është “liberalizuar” gjithçka, kur më parë përgjimet kryheshin me vendime gjykate.
Një nga institucionet që një sistem të mirëfilltë përgjimesh është Prokuroria e Përgjithshme, ku disa hetues qëndrojnë në katin e fundit të godinës në zonën e 9 katësheve. Në intervale kohore të ndryshme, organi qendror i akuzës bën tendera për sisteme dhe mirëmbajtje.
Sipas dokumentit të mësipërm, organi qendror i akuzës ka shpallur formalisht fituesin e një procedure mirëmbajtje, teksa paratë i janë dhënë firmës italiane “IPS”, me seli në qytetin e Romës në Itali.
Procedura e prokurimit është “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, çka do të thotë se zyrtarët e prokurorisë vetëm sa kanë negociuar çmimin që donte firma italiane. Objekti i kontratës është “mirëmbajtje te sistemit të përgjimit, rinovim me pajisje, instalim, implementim” për Prokurorinë e Përgjithshme me një afat kohor tre vjet.
Nisur edhe nga procedura, këtu s’bëhet fjalë për tender por për dhënie parash afrofe. Ose më saktë sa ka kërkuar firma italiane, e cila për mirëmbajtjen do të marrë plot 660 mijë euro.
Objekti para 3 vitesh ka qenë “mirëmbajtje e sistemit të përgjimit të komunikimeve elektronike” për Prokurorinë e Përgjithshme, sërish me një afat kohor prej 3 vitesh. I njëjti fitues, firma “IPS” S.p.A nga Italia. Vlera që mori në atë kohë ishte 435 mijë euro.
Nëse do të bëjmë një krahasim të vlerës së këtij vitit me atë të vitit 2022 rezulton se kjo aktualja është plot 225 mijë euro më shumë. Ose mbi 30 % të vlerës më shumë se kjo aktualja. Negocimet për kontratën e fundit duket se s’kanë qenë shumë të leverdishme për organin qendror të akuzës, pasi kanë “humbur” një shumë të majme.
Marrë nga VoxNews.al