Nga Auron Tare
Profesor Sergej Hrushov më priste përpara hyrjes së Universitetit të Rhode Island. Kisha bërë një udhëtim të gjatë për ta takuar. Më shtynte një kureshtje e vjetër, të dëgjoja jo vetëm kujtimet për të atin, Nikita Hrushovin, ish-udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, por edhe ç’mund të dinte ai për Shqipërinë, atë vend të vogël që, sipas zakonit tonë të hershëm, e kemi përfytyruar gjithnjë si boshtin rreth të cilit rrotullohet historia e botës. Pasi u përshëndetëm më tregoi udhën. E ndoqa pas. Profesori Hapat i kishte të ngadalshëm, por mendjen të kthjellët. Sapo u ulëm, e pyeta për vizitën që i ati kishte bërë në Shqipëri. E mbaj mend, -tha. “Isha djalosh, por më kujtohet mirë. Babai qëndroi afërsisht tri javë”. Tri javë! M’u duk një kohë e pazakontë. Ç’mund të bënte për tri javë në Shqipëri udhëheqësi i një superfuqie? – e pyeta.
Profesori buzëqeshi.
Koha, siç ndodh rëndom, e ka dhënë gjykimin e vet. Sot Jugu i Shqipërisë nuk njihet për arat me grurë, por për plantacionet e agrumeve që mbulojnë kodrat e fushat.
Pastaj e pyeta: Po përse sovjetiket nuk e rrëzuan Hoxhën?
Profesori më vështroi me syte e tij blu. ”Biri im , Bashkimi Sovjetik kishte halle shumë më të mëdha sesa të merrej me Shqipërinë. Mos vallë mendoni se nuk mund ta rrëzonte një diktator provincial, po ta kishte vërtet atë qëllim?”
Kjo bisedë më është kujtuar këto ditë, kur në Tiranë dëgjojmë i se pas protestave, fshihet dora e rusëve. Duket sikur historia ka vetëm një zakon, ndryshon dekorin, por lë të njëjtët aktorë. Dikur thuhej se rusët donin të na shkatërronin me portokalle, sot thuhet se duan të na shkatërrojnë turizmin.
E megjithatë pyetja e profesorit mbetet po aq e thjeshtë, sa edhe e pakëndshme: Përse Rusia do të kishte një interes kaq të madh për Shqipërinë? Mos vallë Kremlini nuk fle natën nga vizitat e kryeministrit shqiptar në Ukrainë? Apo nga premtimet e Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar nja dy shkolla atje?
Mos valle Putinin nuk e ze gjumi se Zelenski ( lideri i korruptuar sipas agjencive te inteligjences amerikane) nderoi Mamicen tone me Medaljen e Princeshes Olga?
Nuk jam njohës i gjeopolitikës dhe nuk marr përsipër të jap mësime për punët e mëdha të botës. Por një gjë më duket e qartë, fuqitë e mëdha nuk harxhojnë energjitë e tyre për mite provinciale. Kur kanë interesa të mëdha, veprojnë, kur nuk kanë, na lënë të merremi me hijet që krijon vetë imagjinata jonë. Shqipëria ka vuajtur gjatë nga një sëmundje e vjetër, bindja se bota zgjohet çdo mëngjes duke menduar për ne. Është një mendjemadhësi që e kemi trashëguar prej propagandës, jo prej historisë. Cuna, Ndoshta nuk është ariu rus ai që na trazon pyllin. Mbase pyllin tonë e trazojnë më fort Cakenjte tane qe sa herë u mungon një përgjigje për hallet e vendit, nxitojnë të shpikin një armik të largët. E kur pylli zbrazet, kur qytetarët varfërohen dhe besimi shuhet, fajin e kërkojnë gjithmonë diku larg tek Ariu!
Marrë nga Balkanweb.com