Personazhe të njohur të bostës së krimit janë përfshirë këtë të shtunë në një sherr brenda burgut të Fierit.
Bëhet fjalë për Denis Bajri (Bajoviç), Aldo Gjini dhe Jurgen Zotaj, të cilët janë përplasur fizikisht, duke përdorur edhe mjete prerëse, përfshirë brisk.
Pas nisjes së konfliktit, kanë ndërhyrë menjëherë forcat e sigurisë së burgut, të cilat kanë neutralizuar situatën.
Por, për shkak të përplasjes me mjete prerëse, Denis Bajri dhe Jurgen Zotaj, kanë mbetur të plagosur.
Si pasojë, ata janë dërguar në spitalin e Fierit për të marrë ndihmë mjekësore dhe më pas janë kthyer sërish në qeli.
Ndërsa Aldo Gjini, pjesë e grupit të Rrajave, menjëherë pas sherrit është futur në izolim.
Tre të dënuarit njiheshin me njëri-tjetrin dhe kishin pasur marrëdhënie të mira, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur pas një debati të momentit.
Denis Bajri, është i akuzuar nga SPAK në kuadër të një hetimi për vrasjen e Gjin Ndojit.
Ndërsa, Jurgen Zoto ndodhet në burg, i akuzuar për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”.
Sa i përket Aldo Gjinit, ai është pjesë e grupit kriminal të ‘Rrajave’ të Fushë-Krujës, të cilët akuzohen nga SPAK se kanë trafikuar 2.4 ton marijuanë e kokainë drejt Evropës.
Marrë nga Dosja.al