Pas nxjerrjes së trupit të pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibro, kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit që shkatërroi pallatin në Elbasan. Mësohet se ekspertë të Policisë dhe Prokurorisë kanë nisur punën për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa në vijim pritet mbërritja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit, të cilët do të kryejnë një tjetër vlerësim të gjendjes së godinës.
Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit ka deklaruar se, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për strehimin e banorëve të prekur nga ngjarja, si dhe për ndërhyrjet e mëtejshme që do të kërkohen në varësi të vlerësimit të situatës.
Shpërthimi ndodhi në apartamentin e 69-vjeçarit Hamit Ibro, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat, muret dhe duke shembur një pjesë të shkallëve të pallatit.
Viktima e parë e kësaj tragjedie ishte 83-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila banonte një kat mbi apartamentin ku dyshohet se ndodhi shpërthimi. E moshuara u nxor e pajetë nga ballkoni me ndihmën e shkallëve të zjarrfikësve. Ndërkohë, nën rrënoja u gjet edhe viktima e dytë, 69-vjeçari Hamit Ibro, pronari i apartamentit ku dyshohet se nisi shpërthimi.
Përveç dy viktimave, nga shpërthimi dhe zjarri kanë mbetur të plagosur edhe 10 persona të tjerë, mes tyre fëmijë. Të lënduarit janë transportuar në spitalin e Elbasanit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës, të cilat punuan për shuarjen e flakëve, kërkimin e personave të bllokuar dhe evakuimin e banorëve.
Përmes shkallëve të jashtme të zjarrfikësve u bë i mundur nxjerrja e disa banorëve, përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Në pallatin pesëkatësh, i ndërtuar gjatë viteve 1970-1980, jetonin rreth 15 familje. Banorët e evakuuar pritet të sistemohen përkohësisht në një konvikt aty pranë.
Sipas dëshmive të banorëve, shpërthimi është ndjerë edhe në pallatet përreth, ndërsa zona u mbulua nga re të dendura tymi. Shpërthimi shkaktoi panik dhe dëme të konsiderueshme në të gjithë ndërtesën. Sa i përket shkaqeve të ngjarjes, ato mbeten ende të paqarta, por një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit është ajo e një rrjedhjeje të mundshme gazi nga një bombol gatimi.
Marrë nga Dosja.al