Në ditën e katërt nga moti i keq, janë 1587 banesa dhe 13211 hektarë tokë të përmbytura.
Ndërkohë sot është shfaqur që përmirësim i situatës në disa zona, ku ka nisur tërheqja e ujit.
Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.
Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Aktualisht, prurjet e ujit janë ulur dhe niveli i ujit te Ura e Mifolit është 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
Situata hidrometeorologjike në qarkun e Fierit paraqitet më e qëndrueshme, ndërsa autoritetet raportojnë për ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.
Situata në qarkun e Korçës vijon të jetë problematike në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, borës dhe temperaturave të ulëta.
Problematika janë evidentuar në disa zona të bashkisë Gramsh, ku si pasojë e motit të keq dhe temperaturave të ulëta është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike dhe bllokim të fshatrave për shkak të dëborës.
Marrë nga Top Channel