Një duel i jashtëzakonshëm mes dy shqiptarëve në kampionatin turk, ku Trabzonspori triumfoi 4-3 në transfertë ndaj Rizesporit, pas një ndeshjeje me shtatë gola dhe një përmbysjeje të madhe. Në qendër të vëmendjes ishin Ernest Muçi dhe Qazim Laçi, të cilët lanë gjurmën e tyre në këtë spektakël.
Rizespori e mbylli pjesën e parë në avantazhin e dy golave, falë dygolëshit të Gennaro Borrellit në minutat 12 dhe 32. Por pas pushimit, Trabzonspori reagoi fuqishëm dhe përmbysi gjithçka brenda pak minutash.
Melih Kabasakal ngushtoi diferencën në minutën e 49-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Aral Şimşir barazoi shifrat. Në të dy golat, asistet mbanin firmën e Ernest Muçit, i cili vazhdoi të ishte vendimtar edhe në përmbysjen e miqve. Në minutën e 57-të, Franculino shënoi golin e tretë për Trabzonsporin, pas një aksioni ku Muçi ishte sërish protagonist me goditjen e tij drejt portës.
Por përgjigjja e Rizesporit erdhi nga këmbët e një tjetër shqiptari. Në minutën e 68-të, Qazim Laçi lëshoi një goditje spektakolare nga distanca, duke mposhtur portierin André Onana dhe duke barazuar rezultatin në 3-3.
Kur ndeshja dukej se mund të përfundonte në barazim, dyshja Muçi-Franculino goditi sërish. Në minutën e 83-të, sulmuesi nga Danimarka shënoi golin e fitores, pas asistit të tretë të mbrëmjes nga Ernest Muçi, duke vulosur rezultatin 4-3 për Trabzonsporin.
Kështu, Muçi u kthye në protagonistin kryesor të përmbysjes, ndërsa Laçi konfirmoi formën e mirë me një gol që meriton vëmendje të veçantë. Një mbrëmje pozitive për futbollin shqiptar, edhe pse dy lojtarët e Kombëtares ishin në krahë të kundërt.
Me këtë fitore, Trabzonspori regjistroi suksesin e katërt radhazi dhe u ngjit në kuotën e 19 pikëve, ndërsa Rizespori pësoi humbjen e tretë radhazi dhe mbeti me 10 pikë.
Marrë nga Dosja.al