Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal të përfshirë në trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit.
Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Rotondo”, janë vënë në pranga, Donat Jaku dhe Florian Gjeta dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Sipas njoftimit të policisë, automjeti tip “Volkswagen” që drejtohej nga 22-vjeçari Gjata dhe ku pasagjer ishte 31-vjeçari Jaku u ndalua për kontroll në zonën e njohur si “Rrethi i Freskut”.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 6 armë zjarri, pistoleta të markës “Sig Sauer”, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen kryesisht në zonën e Freskut.
Jaku dhe Gjeta, fillimisht dolën në disa përgjime të bëra më herët, ndërsa hetimi zbardhi të plotë dinamikën e trafikut.
Florian Gjeta, nga Domja, dyshohet se prej vitesh e kryente aktivitetin e trafikut të armëve.
Ndërsa, Gjeta më herët ka jetuar në Angli, vend ky dyshohet po ashtu ta ketë ushtruar të njëjtin aktivitet.
Gjeta gjithashtu nxirrte foto hapur në rrjete sociale me armë në brez. • Hetuesit e Komisariatit nr. 4 dyshojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë, të cilët po punojnë për verifikimin e plotë.
Ndërkohë, policia ka publikuar pamjet nga ndjekja e deri tek momenti i arrestimit të dy personave nga efektivët e komisariatit nr. 4 dhe Forcat Operacionale.
Marrë nga Dosja.al