Napoli vazhdon formën e shkëlqyer në Serie A, duke marrë fitoren e pestë radhazi pas suksesit minimal 1-0 ndaj Milanit.
Ndeshja nisi me ritëm të ulët dhe shumë kujdes nga të dyja skuadrat, të vetëdijshme për rëndësinë e rezultatit në garën pas kryesuesve të Interit.
Rasti më i mirë në pjesën e parë i takoi Milanit, por tentativa e Strahinja Pavlovic përfundoi jashtë.
Nga ana tjetër, vendasit rrezikuan me Leonardo Spinazzola, i cili ishte pranë një supergoli me një goditje të bukur nga distanca.
Në pjesën e dytë, Napoli rriti ritmin dhe mori kontrollin e lojës, duke krijuar disa mundësi të mira shënimi, por portieri Mike Maignan reagoi mirë në disa raste.
Vendimi i ndeshjes erdhi nga pankina, kur Matteo Politano, vetëm pak minuta pasi u aktivizua, shfrytëzoi një pastrim të dobët në zonë dhe shënoi me një goditje të fuqishme për 1-0.
Në minutat e fundit, Milani tentoi të reagojë me Rafael Leao dhe Santiago Gimenez, por pa arritur të ndryshojë rezultatin.
Me këtë fitore, Napoli afrohet në shtatë pikë nga Interi dhe parakalon Milanin në renditje, duke mbajtur gjallë shpresat për titull në javët e mbetura të sezonit.
Marrë nga Syri.net