Nga 1 janari do t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë të energjisë elektrike, deklaroi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
“Ne kemi marrë një porosi dhe prej kohësh punojmë me OSHEE-në, KESH-in dhe me OST-në për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike duke nisur nga 1 janari i vitit 2025. Jemi në punë e sipër, në analizë e sipër, por jemi të sigurt që do t’ia dalim që duke optimizuar proceset teknike edhe ato financiare të kompanive tona, ne të kemi mundësi që nga 1 janari t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë për energjinë elektrike”, u shpreh zëvendëskryeministrja.
Ulja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar edhe më herët nga kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me pensionistët.
Çmimi i energjisë për qytetarët aktualisht është 9.5 lekë/kwh. Sa i takon pensionistëve në vend aplikohen skema kompensimi që parashikojnë 640 Lekë për të gjitha kategoritë e pensioneve, për nivelin e konsumit 200 kë/orë. Të tilla janë kategoritë:
a) kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
b) kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura;
c) Kompensimi për familjet, që do të kompensohen sipas pikës 1 të këtij vendimi, bëhet 240 vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje.
Marrë nga Monitor