Hezbollahu i ka thënë “Po” projekt-marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, por vazhdojnë negociatat për të mbyllur pikat e mbetura pezull.
Kjo u raportua nga korrespondenti i Axios nga SHBA pasi TV libanez Lbci tha se Libani informoi administratën e Bidenit se Hezbollahu i kishte dhënë një përgjigje pozitive armëpushimit të propozuar me Izraelin.
Mohammed Afif, kreu për komunikim me media i Hezbollahut, u vra gjatë një sulmi ndaj zyrave të partisë socialiste arabe, Baath, në qendër të Bejrutit, tha zyrtari i Hezbolllahut, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste për mediat.
Afif kishte qenë mjaft aktiv në media që kur janë intensifikuar këmbimet e zjarrit mes Hezbollahut dhe Izraelit shtatorin e këtij viti.
Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të lartë të Hezbollahut, përfshirë edhe udhëheqësin e grupit, Hassan Nasreallah.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listë të zezë krahun ushtarak të grupit, por jo partinë politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.