Shefi i partisë në pushtet në Korenë e Jugut kërkoi që presidenti i vendit, Yoon Suk Yeol, të largohet nga detyra, duke paralajmëruar se ka një “rrezik të madh” që presidenti të tentojë që sërish të shpallë gjendje lufte.
“Duke pasur parasysh faktet e reja që kanë dalë në dritë, unë besoj që pezullimi i menjëhershëm i detyrave të presidentit të Yoon Suk Yeol është i nevojshëm për të mbrojtur Republikën e Koresë dhe njerëzit e saj”, tha Han Dong-hoon, kreu i Partisë së Pushtetit Popullor të Yoonit.
Han po ashtu theksoi se ka “prova të besueshme” që tregojnë se Yoon kishte urdhëruar arrestimin e “politikanëve kryesorë”.
“Mbrëmë mësova se presidenti urdhëroi komandantin e mbrojtjes të arrestonte liderët kryesorë politikë, duke i cilësuar ata si forca antishtetërore dhe mobilizoi institucionet e inteligjencës në këtë proces,” tha Han.
“Yoon nuk e pranon se kjo shpallje e paligjshme e gjendjes së luftës është gjë e gabuar dhe ai ka dështuar të veprojë kundër zyrtarëve ushtarakë që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme”, shtoi ai.
Por, deklaratat e Hanit bien në kundërshtim me njëra tjetrën, pasi një ditë më parë ai tha se partia e tij do ta bllokonte mocionin, për miratimin e të cilit duhen dy të tretat e votave në Parlament.
Blloku opozitar ka 192 ulëse në Parlamentin me 300 deputetë, ndërkaq partia e Yoonit ka 108. Nëse mocioni për pezullimin e Yoonit nga posti i presidentit do të kalonte, atëherë vendimi për largimin e tij do të varej nga Gjykata Kushtetuese.
Opozita veçse ka iniciuar një mocion për të rrëzuar nga pushteti Yoonin, që pritet të votohet të shtunën, por ende është e paqartë nëse ka vota të mjaftueshme që ky mocion të kalojë.
Sipas mediave lokale, Han do të takohet më 6 dhjetor me Yoonin, i cili nuk është parë në publik që nga orët e para të së mërkurës.
Më 3 dhjetor Presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake, pasi e konsideroi të nevojshme për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët kundër shtetit.
Ai u zotua të çrrënjosë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut” dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.
Ndërkohë disa orë më vonë ai u detyrua të tërhiqte vendimin pasi ligjvënësit u përballën me ushtrinë në Parlament dhe votuan për ta zhbërë vendimin dhe mijëra njerëz protestuan jashtë Parlamentit.
Marrë nga CNN