Për gazetarin Klodian Tomorri, antarët e kabinetit të Ramës, me pasuritë që zotërojnë, futen tek 0.1 përqind e popullsisë më të pasur në vend. Sipas tij, 17 anëtarë të kabinetit, nga ajo ç’kanë deklaruar, zotërojnë rreth 18 milionë euro, ndërkohë që institucionet si ILDKPI janë shndërruar në arkiva të deklaratave të pasurisë, por që nuk hetojnë asgjë.
Tomorri thotë se kategoria e politikanëve, është ajo më e ekspozuara ndaj evazionit fiskal apo pastrimit të parave, por ligjet për të kontrolluar aktivitetin e tyre jashtë politikës mbeten vetëm në letër. Sipas tij është e habitshme se pasuritë e tyre rregjistrohen gjithmonë në emër të bashkëshortëve, siç është dhe rasti i vetë Ramës, dhe më pas kur ata vijnë në pushtet, pasuria e tyre vetëm shtohet.
Intervista në studion e Syri TV:
Pra këta janë jo tek 1% më i pasur por janë tek 0.1 % më i pasur. Mënyra se si i kanë bërë këto para? Burimi i pasurisë ose shumica dërrmuese të rasteve vijnë nga partnerët, pra këta kanë fatin që martohen ose me gra shumë të pasura, ose me burra shumë të pasur, të cilët pasi këta vijnë në pushtet, shkëlqejnë në biznes edhe më shumë e shkojnë në rritje pasurie. Pastaj ku shkojmë? Shkojmë tek ajo historia që na tregon kryeministri, që thotë se në fillim kam bërë sakrifica si emigrant që ndërtova shtëpinë. Pastaj thotë se ja ndërtoi bashkëshortja. Problemi në Shqipëri është i tillë. Ne kemi ndërtuar ILDKP dhe kush e di se sa institucione të tjera që duhet të kontrollojnë pasurinë e politikanëve, dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe pastrimit të parave, sepse politikanët janë personat më të ekspozuar ndaj këtij rreziku. Prandaj e gjithë bota i konsideron “pet” dhe sa herë që ndodh një transaksion ku është përfshirë një politikan, ngrihen të gjithë antenat e sistemit.
Syri: ILDKP në ketë rast shërben vetëm për të konstatuar?
Tomorri: ILDKP është kthyer në një regjistër që mban në arkivë aty ata që deklarojnë këta në deklaratat e tyre vjetore. Por shtetet sot më të zhvilluara nuk e kanë ILDKPI fare. Kanë ndërtuar një administratë tatimore, e cila mjafton të kryqëzojë transaksionet që këta bëjnë dhe e ka shumë kollaj të evidentojë se kush është përfshirë në transaksione të paligjshme, kush po bën evazion apo pastrim parash. Ne kemi ndërtuar atë shtetin që ndërtojmë institucione të kota që nuk bëjnë asgjë. Bëjmë sikur shtrëngojmë ligjin, por ligjet janë shumë të mira dhe në letër ti mund të shkruash ligje shumë të mira.
Syri: Mirë po duket sikur është kthyer në parajsë fiskale për qeverisjen e Ramës?
Tomorri: Natyrisht që është parajsë fiskale. Tashmë më thoni ju: Mjafton një emision i thjeshtë dhe ne shohim se sa sinjale ka për të ngritur një dyshim. Tani më thoni një rast, kur tatimet, ILDKPI, prokuroritë e rretheve dhe deri te SPAK, të kenë iniciuar një rast për dyshimin që mund të kenë ardhur për transaksionet financiare për një politikan. Pra i gjithë sistemi nuk funksion, ai sistem që duhet të garantonte qytetarët që këta nuk do vijnë në pushtet që të vjedhin dhe pasurohen.