Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kolegët e Holta Zaçaj kanë vendosur se mandati i saj përfundon në 10 Mars. Pavarësisht se kryetarja kishte vendosur t’i drejtohej Komisionit të Venecias, anëtarët e Kushtetueses janë mbledhur dhe e kanë marrë vendimin.
Afatet e mandatit të Holta Zaçaj u bënë temë debati publik prej disa ditësh për shkak të interpretimeve të ndryshme të kohëzgjatjes së tij. Burime bëjnë me dije se afati i përfundimit të mandatit të saj tashmë është fakt.
Gjykata e Lartë, përmes kryetarit Sokol Sadushi këmbënguli se mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe njoftoi shpalljen e vakancës, si dhe çeljen e garës për këtë post më 11 dhjetor.
Holta Zaçaj arsyetoi se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Ajo po ashtu i kërkoi Komisionit të Venecias mendim mbi mënyrën e llogaritjes së kohëzgjatjes së afateve të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
“Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik”, u shpreh ajo.
Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017.
Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3, i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025.
Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.”.
Marrë nga Newsbomb.al