Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, ndërsa rreth katër ditë më parë është transportuar në një spital në Greqi.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë publikoi njoftimin për media të spitalit “Evangjelismos”, ku thuhej se gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit është kritike.
Ditën e djeshme Kryepeshkoi u vizitua në spital nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Mediat greke raportuan se shëndeti i Kryepeshkopit është përkeqësuar mbrëmjen e së shtunës.
Para shtrimit në spital në “Evangjelismos”, 95-vjeçari, i cili ka një histori të komplikuar mjekësore, kishte shfaqur simptoma të virusit.Ai u shtrua fillimisht në një spital në Tiranë. Megjithatë, mjekët raportuan se pas përkeqësimit të shëndetit të tij, u vendos transferimi i tij në Greqi për të marrë kujdesin e specializuar mjekësor.
Ai u transportua nga Shqipëria me një mjet të Forcave Ajrore Greke. Transporti u krye me një avion C-27. Ai u shoqërua nga një mjek dhe dy infermierë. Avioni u ul në aeroportin ushtarak të Elefsinës në orën 19:34 të së enjtes mbrëma dhe menjëherë më pas Kryepeshkopi u transferua në spitalin “Evangjelismos”.