“Të dhënat e shqiptarëve të mbledhura për Censin 2023 nuk janë ruajtur siç e kërkon ligji. Mjedisi i kontraktuar për grumbullimin e materialeve ka qenë një garazh me qira mujore 420 mijë lekë dhe të dhënat e popullsisë kanë pasur risk të lartë keqpërdorimi”.
“Nga auditimi i Projektit të Cens-it 2023 u konstatua se INSTAT ka detyrimin të marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar hyrjen e paautorizuar në instalimet ku të dhënat personale të censit mbahen. INSTAT-i duhet t’i trajtojë të dhënat e mbledhura, të përpunuara e të ruajtura të censit si rreptësisht konfidenciale duke mos lejuar individët dhe njësitë e tjera statistikore të identifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Grupi i ngritur nga titullari i INSTAT cenon parashikimet ligjore.
INSTAT nuk i është përmbajtur specifikimeve të sipërfaqeve sipas kërkesës fillestare drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe gjatë procesit të marrjes me qira të ambientit nga lidhja e kontratës bashkë me amendimin e kryer, i gjithë procesi ka qenë i pa argumentuar dhe i pa studiuar. Njësia ku magazinoheshin tabletat ambienti nuk ishte i pajisur me sistem kondicionimi kishte lagështirë në një pjesë të saj, si dhe objekti i marrë me qira aksesohej nga disa hyrje”, – thuhet në raport.
Në raport theksohet se KLSH ka kryer verifikimin e hapësirës të kontraktuar me qira, dhe është vënë re në kundërshtim me ligjin për censin, se njësia garazh është përdorur si parkim gjatë dorëzimit të të dhënave për procesin e CENS 2023; ndërsa aktualisht ky mjedis nuk ka asnjë material brenda dhe nuk përdoret më nga INSTAT por vazhdon të paguhet qira mujore…
“Nga ana e Titullarit të Institucionit në bashkëpunim me strukturat drejtuese në INSTAT të merren masat e nevojshme për ngritjen e një grupi pune me qëllim analizimin e problematikave të konstatuara në lidhje me procesin e përzgjedhjes së ambienteve dhe pas evidentimit të mangësive në lidhje me kushtet e sigurisë, të kryhen përmirësimet konkrete duke rishikuar kushtet e kontratës së qirasë, me qëllim parandalimin në të ardhmen për rreziqet e mundshme nga humbja e të dhënave sensitive në kuadër të Projektit të Cens-it 2023, si dhe të nxirren përgjegjësitë përkatëse mbi mospërputhjen e specifikimeve teknike”, thuhet në raportin e auditimit.
Nga 7700 tableta të blera në kuadër të CENSIT 2023, auditimi zbulon se 737 pajisje elektronike vijojnë të jenë në përdorim për projekte të tjera dhe nuk është finalizuar ende procesi i mbledhjes totale të tyre.
Marrë nga Top Channel