Situata në Venezuelë po përkeqësohet, pasi presidenti Nicolás Maduro pritet të vazhdojë sundimin e tij, pavarësisht akuzave për manipulim të zgjedhjeve presidenciale. Maduro, i cili ka qenë në pushtet për 12 vite, po përballet me një kritikë të gjerë ndërkombëtare dhe një opozitë të shtypur brenda vendit.
Sipas një raporti të “The Guardian”, zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar u pretendua se u fituan nga Edmundo Gonzalez. Megjithatë, Gonzalez u largua nga vendi pas kërcënimeve për jetën e tij dhe për t’i shpëtuar një atentati të mundshëm. Ai është zotuar se do të rikthehet në Venezuelë për të sfiduar inaugurimin e planifikuar të Maduros të premten.
Vëzhguesit thonë se inaugurimi i pritshëm i Maduros, të cilin liderët e shumicës së qeverive demokratike do ta bojkotojnë, përfaqëson një moment historik në rënien e ngadaltë të një prej demokracive më të mëdha të Amerikës së Jugut.
Në prag të ceremonisë të së premtes në Karakas, aktivistët akuzuan agjentët e Maduros për rrëmbimin e më shumë se një duzinë figurave të lidhura me opozitën, duke përfshirë dhëndrin e González, Rafael Tudares, aktivistin e të drejtave të njeriut Carlos Correa dhe një politikan të njohur opozitar të quajtur Enrique Márquez. “Një gjueti shtrigash në shkallë të plotë është në lëvizje,” shkroi në Tëitter Ivan Briscoe, një ekspert i Amerikës Latine nga Crisis Group.