E gjithë Europa i ka dhënë përparësi ndërtimit të hekurudhave si një mjet më eficient për transportin e pasagjerëve e mallrave dhe me një ndikim shumë më të ulët në mjedis. Edhe Bashkimi Europian në projektet e infrastrukturës i ka dhënë rëndësi ndërtimit të hekurudhave. Në kontrast, Shqipëria në 30 vitet e tranzicionit nuk e ka pasur fokusin në përmirësimin e sistemit të saj hekurudhor, që trashëgoi nga e kaluara, apo në ndërtimin e linjave të reja.
Të dhënat e fundit të Eurostat bëjnë të ditur se Shqipëria në vitin 2023 kishte vetëm 9 metra hekurudhë për 1 kilometër katror, më e ulëta në Europë. Në rajon, dendësinë më të lartë e ka Serbia me 44 metra për km katror, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (27.4), Kosova (22.8m), Mali i Zi (18.4m).
Ndonëse me vonesë, së fundmi janë bërë hapa për të rigjallëruar rrjetin hekurudhor. Hekurudha Tiranë Durrës, një financim i BERZH po ndërtohet. Është hapur tenderi për ndërtimin e hekurudhës Vorë- Hani Hotit. Hekurudha Rrogozhinë- Vlorë është në fazë tenderimi të projekt idesë. Hekurudha Durrës-prishtinë është në fazën e hartimit të projektit. Është gati projekti, dhe është kërkuar financim në BERZH për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë.
Sipas Eurostat, në vitin 2023, rrjeti hekurudhor i BE-së kishte një gjatësi totale prej 200,947 km, me dendësinë më të lartë të linjave hekurudhore të përqendruar në qytetet kryesore dhe qendrat e tjera të popullsisë. Dendësia më e lartë e rrjetit hekurudhor u regjistrua në Çeki, me 123.2 metra linjë hekurudhore për km². Ndër vendet e tjera të BE-së me dendësi të lartë ishin Belgjika (119.2 m/km²), Gjermania (109.5 m/km²) dhe Luksemburgu (104.8 m/km²).
Në anën tjetër, dendësia më e ulët e rrjetit hekurudhor u regjistrua në Greqi (14.0 m/km²) dhe Finlandë (19.4 m/km²). Dendësi të ulëta u shënuan gjithashtu në Suedi (26.8 m/km²), Estoni (27.2 m/km²), Portugali (27.8 m/km²), Letoni (28.9 m/km²) dhe Irlandë (29.8 m/km²).
Në rrjetin hekurudhor të BE-së, linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë, të projektuara për shpejtësi mbi 250 km/h, shpesh kalojnë kufijtë kombëtarë, duke mundësuar udhëtime të pandërprera me shpejtësi të lartë brenda BE-së. Ky rrjet i ndërlidhur ka përjetuar një rritje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit. Nga viti 2013 deri në 2023, gjatësia e tij u zgjerua me 2,744 km (+47.2%), duke arritur në 8,556 km.
Në vitin 2023, Spanja kryesoi me 3,190 km linja me shpejtësi të lartë, një rritje prej 66% nga 1,919 km në vitin 2013, e ndjekur nga Franca me 2,748 km (+35% nga 2,036 km), Gjermania me 1,163 km (+32% nga 881 km) dhe Italia me 1,097 km (+63% nga 675 km). Belgjika regjistroi 211 km linja me shpejtësi të lartë dhe Holanda 90 km (të pandryshuara nga viti 2013). Danimarka ka 57 km, të inauguruara në vitin 2019.
Marrë nga Monitor