Autoritetet britanike janë duke zhvilluar një fushatë dëbimi të emigrantëve të paligjshëm. Gazeta “The Telegraph” raporton se madje për të dëbuar 47 emigrantë shqiptarë u përdor një avion privat nga Home Office, e cila shpenzoi 22 mijë £ për çdo person të dëbuar. Sipas gazetës, vetëm ky udhëtim kushtoi 1 milion paund.
Përdorimi i linjave ajrore private në Mbretërinë e Bashkuar për të dëbuar emigrantët është në kontrast me SHBA-në, ku Donald Trump po përdor avionë ushtarakë për të zbatuar planin e tij për të larguar mijëra emigrantë të paligjshëm.
Të hënën laburistët publikuan të dhëna që tregojnë se 18 987 njerëz janë dëbuar që kur kanë ardhur në pushtet në korrik të vitit të kaluar. Ky është numri më i lartë se çdo periudhë 6-mujore që nga viti 2017. Laburistët po përpiqen t’u tregojnë votuesve se po veprojnë për të trajtuar imigracionin e paligjshëm.
Në shkrim thuhet se rreth 12 658 shqiptarë kaluan Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në vitin 2022. Për këtë shkak, Britania e Madhe firmosi një sërë marrëveshjesh me vendin tonë për të përshpejtuar kthimin e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Mësohet se do të ketë fluturime javore drejt vendit tonë.
Marrë nga The Telegraph