Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shtyrë vendimin në lidhje me vlefshmërinë për mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Vendimi do të merret të premten në orën 10:30.
Avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari kërkoi që ai të dëgjohet në seancë, pasi sipas saj Beleri nuk është njoftuar për këtë procedurë.
“Nuk është njoftuar për veprimet hetimore dhe, bazuar në ligj, paraqes kërkesën për Belerin që t’i jepet mundësia që të dëgjohet, duke qenë se është subjekt i interesuar. T’i dërgohet kopja e dosjes administrative, që të ketë mundësinë të japë mendimin e tij. Është mbyllur procedura pa iu dhënë mundësia të japë mendimin e tij lidhur me procedurën”, tha avokatja.
“Ne jemi në shqyrtim, kjo procedurë s’ka përfunduar. Për këtë arsye kemi thirrur palët për të dhënë mendimin. Ju e përfaqësoni apo jo? Nëse nuk e përfaqësoni, është çështje tjetër. Nëse keni ardhur këtu si përfaqësuese, keni të gjitha tagrat për ta përfaqësuar”, tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
“S’kam tagër për të dhënë fjalën e tij të fundit, ajo është ekskluzivitet i tij. Afati 24 orë i lënë nga KQZ është shumë i shkurtër për t’i dhënë mundësi që të njihet me procesin. S’jam konsultuar me klientin. Të njoftohet me shkresë dhe t’i jepet mundësia nëse do të paraqitet fizikisht. Në Fier nuk është dërguar shkresë. Kam marrë prokurë dhe më ka njoftuar që s’ka njoftim për seancën e sotme dhe as për atë që është publikuar dje dhe as për procedurën që është ndjekur deri tani. Dëshiron të njoftohet dhe të vijë të flasë vetë. Të marrë pjesë kërkuesi në këtë seancë para KQZ”, tha avokatja e Belerit.