Tregu i fondeve të investimit shënoi një rritje të fortë në vitin 2024, pas një dy viteve relativisht të vështira, sidomos gjatë 2022, kur asetet e tyre thuajse u përgjysmuan, ndikuar edhe nga luhatshmëria e tregjeve financiare ndërkombëtare, por edhe nga rritja e madhe e normave të interesit.
Referuar të dhënave të publikuara nga AMF, për vitin 2024, vlera neto e aseteve të tregut, arriti rreth 61.36 miliardë lekë ose 625 milionë Euro, me një rritje prej 11 miliardë lekë 22%, krahasuar me fundvitin 2023.
Kjo rritje e vlerës së aseteve u shoqërua me rritje të numrit të investitorëve, duke arritur në 37,786 mijë anëtarë nëpër fondet e investimeve, ose 17.39% më shumë se fundviti 2023.
Në Tregun e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive operuan 6 shoqëri administruese të licencuara nga AMF nga të cilat 4 janë me kapital vendas dhe 2 janë me kapital te huaj. Numri i fondeve të investimit më 31.12.2024 arriti në 18, nga të cilat 4 janë fonde investimi alternative.
Vlera e aseteve neto për fondet e investimit, me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike arriti vlerën 55 miliardë lekë ose 564 milionë euro, me një rritje prej 21.83% krahasuar me dhjetorin 2023.
Investimet në këtë treg u dominuan kryesisht nga investimet në tituj qeveritarë (bono thesari dhe obligacione), të cilat përbëjnë 79.24% dhe ndërkohë 6.2% janë investime në tregjet financiare ndërkombëtare.
Marrë nga Ekofin.al