Viti 2024 rezulton të ketë qënë një vit jo i mirë për Shqipërinë, sa i përket të dhënave kryesore për energjinë. Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2024, arriti vlerën 7.837 GWh nga 8.796 GWh energji të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar një rënie të prodhimit me 10,9 %.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 52,1 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 41,4 % dhe nga të tjerë prodhues në masën 6,5 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Ndërkohë që prodhimi vendas shënoi rënie, importi shënoi rritje të ndjeshme, duke rritur kështu edhe kostot në Buxhetin e Shtetit. Importi bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 2.669 GWh nga 1.922 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 38,9 %. Në anën tjetër, eksportet shënuan rënie, duke arritur në 2.335 GWh, nga 2.842 GWh në vitin 2023, ose 17,8 %.
Hidrocentralet publike, në vitin 2024, prodhuan 4.085 GWh nga 5.123 GWh të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 20,3 %. Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 3.245 GWh nga 3.582 GWh të prodhuar një vit më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 9,4 %. Të tjerë prodhues, prodhuan 507 GWh nga 90 GWh të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 5,6 herë.
Humbjet në rrjet shënuan rënie
I vetmi lajm i mirë për sektorin mund të konsiderohet minimizimi i mëtejshëm i humbjeve në rrjet, të cilat zbritën në 1.614 GWh në vitin 2024 nga 1.655 GWh që ishin në vitin 2023, me një rënie prej 2,4 %. Pesha që zënë humbjet në rrjet në totalin e energjisë elektrike në dispozicion gjatë vitit 2024 është 19,8 % nga 21,0 % që ishte në vitin 2023, duke shënuar një ulje me 1,2 %. Gjatë vitit 2024, humbjet në transmetim janë ulur me 8,6 % dhe humbjet në shpërndarje janë ulur me 1,5 %, krahasuar me vitin 2023.
Rritet konsumi i energjisë në vitin 2024
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në vitin 2024, arriti vlerën 6.556 GWh nga 6.221 GWh që ishte në vitin 2023. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u rrit me 9,4 %, duke arritur vlerën 3.409 GWh në vitin 2024 nga 3.117 GWh që ishte në vitin 2023, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 1,4 % duke arritur vlerën 3.147 GWh në vitin 2024, nga 3.104 GWh që ishte një vit më parë.
Marrë nga Ekofin.al