Kreu i misionit të OSBE/ODIHR, ambasadori Lamberto Zannier, zhvilloi sot një takim informues në selinë e Partisë së Lirisë, në kuadër të vëzhgimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“E njoftuam ambasadorin për burgosjen pa gjyq të Metës dhe për ndalimin që i bëhet atij për të takuar drejtuesit e partisë apo për të komunikuar me votuesit. Arrestimi i tij është një akt i drejtpërdrejtë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit”, u shpreh Blushi.
Nga ana tjetër, ambasadori Zannier konfirmoi për gazetarët se u njoh me shqetësimet e ngritura nga PL, por nuk komentoi mbi arrestimin e Metës.
“Nuk kam një qëndrim në lidhje me këtë çështje dhe nuk mund të jap një mendim apo gjykim. Qëndrojmë pas shtetit të së drejtës, transparencës dhe ligjit të papolitizuar,” tha ai shkurtimisht.
Blushi e mbylli deklaratën duke theksuar besimin në një fitore madhështore të koalicionit opozitar më 11 maj dhe dorëzimin e provave konkrete te misioni i OSBE/ODIHR për veprimet që, sipas tij, po cënojnë procesin zgjedhor.
Marrë nga Lapsi.al