Parlamenti i Hungarisë të hënën miratoi ndryshimet kushtetuese që ia lejojnë qeverisë të ndalojë ngjarjet publike të organizuara nga komunitetet LGBTI+ (lesbike, gei, biseksual, transgjinor, ndërgjinor, e të tjerë).
Studiuesit ligjorë dhe kritikët e quajnë këtë vendim një hap tjetër drejt autoritarizmit nga qeveria populiste e Hungarisë.
Ndryshimi, i cili kërkonte një shumicë prej dy të tretash, u miratua me 140 vota pro dhe 21 kundër. Ai u propozua nga koalicioni qeverisës i udhëhequr nga kryeministri populist Viktor Orbán.
Përpara votimit, politikanët e opozitës dhe protestues të tjerë tentuan ta bllokonin hyrjen në parkingun e parlamentit. Policia largoi fizikisht demonstruesit, të cilët kishin lidhur veten me njëri-tjetrin.
Ndryshimi deklaron se të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror kanë përparësi ndaj çdo të drejte tjetër përveç të drejtës për jetën, duke përfshirë edhe atë për t’u tubuar në mënyrë paqësore. Legjislacioni i diskutueshëm për “mbrojtjen e fëmijëve” ndalon “përshkrimin ose promovimin” e homoseksualitetit për të miturit nën moshën 18 vjeç.
Ndryshimi e kthen në kushtetutë një ligj të miratuar me procedurë të përshpejtuar në mars që ndalon ngjarjet publike të mbajtura nga komunitetet LGBTI+, përfshirë ngjarjen e njohur si Parada e Krenarisë, që mbledh në Budapest mijëra pjesëmarrës çdo vit.
David Bedo, një deputet i partisë opozitare Momentum që mori pjesë në përpjekjen për bllokadë, tha para votimit se Orban dhe Fidesz për 15 vitet e fundit “kanë shkatërruar demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe në dy apo tre muajt e fundit, ne po shohim se ky proces është përshpejtuar.”
Ai tha se, ndërsa po afrohen zgjedhjet e vitit 2026 dhe partia e Orbanit po ngec në sondazhe përballë një sfiduesi të ri të popullarizuar nga opozita, “ata do të bëjnë gjithçka që munden për të qëndruar në pushtet”.
Deputetët e opozitës tentuan të ndërprejnë votimin, që vazhdoi pas pak momentesh.
Qeveria e Hungarisë ka bërë fushatë kundër komunitetit LGBTI+ vitet e fundit dhe argumenton se politikat e saj për “mbrojtjen e fëmijëve”, që ndalojnë qasjen për të miturit ndaj çdo materiali që përmend homoseksualitetin, janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga ajo që e quan “çmenduri gjinore.”
Ndryshimi i ri gjithashtu thotë se kushtetuta njeh dy gjini, mashkull dhe femër, duke zgjeruar kështu një ndryshim të mëparshëm që ndalonte birësimin nga ciftet e gjinistë së njëjtë duke deklaruar se një nënë është grua dhe një baba është burrë.
Deklarata ofron një bazë kushtetuese për mohimin e identiteteve gjinore të personave transgjinorë, si dhe për injorimin e ekzistencës së individëve ndërgjinor që lindin me karakteristika seksuale që nuk përputhen me konceptet binare të mashkullit dhe femrës.
Në një deklaratë të hënën, zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs shkroi se ndryshimi “nuk është një sulm ndaj shprehjes individuale, por një sqarim se normat ligjore bazohen në realitetin biologjik.”
Ndryshimi është i 15-ti që i bëhet kushtetutës së Hungarisë që nga viti 2011 kur partia e Orbanit e hartoi dhe miratoi në mënyrë të njëanshme.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë