Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka akuzuar Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se po dëmton negociatat për paqe, pas deklaratës së këtij të fundit se Ukraina nuk do të njohë kurrë kontrollin e Rusisë mbi Krimenë.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se një marrëveshje për të përfunduar luftën ishte “shumë afër”, por se refuzimi i Zelenskyt për të pranuar kushtet e SHBA-ve do të “përshkallëzonte më tej” konfliktin.
Pak më herët, Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, shpalosi vizionin e Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje paqeje, duke thënë se kjo do të “linte kufijtë territorialë, afër atyre që janë sot”. Ukraina ka deklaruar gjithmonë se nuk do të heqë dorë nga Krimea, një gadishull i aneksuar nga Rusia në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
Vance tha se marrëveshja do të nënkuptonte se Ukraina dhe Rusia “do të duhej të heqin dorë nga disa nga territoret që aktualisht i kontrollojnë”. Megjithatë, administrata amerikane nuk ka ofruar ende detaje specifike për lëshimet territoriale që mund të kërkohen.
Kur iu kërkua koment nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse administrata ishte duke shqyrtuar mundësinë e njohjes së sovranitetit të Rusisë mbi Krimenë, Trump u shpreh se ai thjesht dëshironte të shihte fundin e luftës. “Nuk kam asnjë preferencë. Nuk dua të kem asnjë preferencë. Dua që të arrihet një marrëveshje,” tha ai.
Njohja e pushtimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia do të ishte e pamundur politikisht për Zelenskyt, por gjithashtu do të ishte kundër normave ndërkombëtare pas-luftë, që përcaktojnë se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Ai ka refuzuar gjithmonë të pranojë idenë e dorëzimit të pretendimeve të Ukrainës për Gadishullin e Krimesë.
“Nuk ka asgjë për të biseduar këtu. Kjo është kundër kushtetutës sonë,” tha Zelensky.
Ndërkohë, në Ukrainë, shpërthimet dhe sulmet e Rusisë vazhdojnë. Mbrëmjen e djeshme, një sulm raketor dhe me dronë ka goditur disa rajone të Ukrainës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha. Në kryeqytetin Kyiv, dy persona humbën jetën dhe 54 të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë. Në qytetin Kharkiv, në veri-lindje, gjithashtu u raportuan shpërthime.
Ky është një tjetër episod në marrëdhënien e tensionuar ndërmjet Trump dhe Zelensky, që ka pasur mospajtime të mëdha që nga fillimi i luftës. Trump ka deklaruar më parë se ai mund ta përfundojë luftën brenda një dite, por si ish-Presidenti ashtu edhe administrata e tanishme amerikane nuk kanë arritur ende një marrëveshje përfundimtare.
Deri tani, është e paqartë nëse negociatat për paqe do të çojnë në ndonjë marrëveshje, ndërkohë që shpërthimet dhe sulmet ruse vazhdojnë të sjellin viktima dhe dëme në Ukrainë.
Marrë nga Associated Press