Raporti i Rrjetit Europian të Mikrofinancës (European Microfinance Network) i vitit 2024 në analizën e tij ka gjetur se mikrokreditë për biznese përbëjnë 70% të portofolit total të kredive dhe dominojnë ofertën në Evropën Veriperëndimore, ndërsa mikrokreditë personale janë më të zakonshme në Ballkan, ku përbëjnë mbi gjysmën e aktivitetit kreditor (57%).
Në këtë rajon, rolin kryesor e luajnë unionet kreditore, të cilat ofrojnë shumicën e kredive personale, krahasuar me bankat dhe OJQ-të që janë më të përqendruara në mikrokreditë për biznese. Konkretisht, portofoli i unioneve kreditore përbëhet në 59% nga mikrokreditë personale, ndërsa për bankat, institucionet jobankare financiare (INBF) dhe OJQ-të, kreditë për biznese përbëjnë përkatësisht 90%, 79% dhe 72% të portofolit të tyre.
Ndërkohë që vetëm 39% e huamarrësve aktivë në nivel evropian marrin mikrokredi për biznese, 61% përdorin mikrokredi personale. Këto të fundit janë më të përhapura në Ballkan (73% e huamarrësve), Evropën Jugore (60%) dhe Lindore (59%). Vetëm në Evropën Veriperëndimore, shumica e klientëve (74%) janë përdorues të mikrokredive për biznese.
Unionet kreditore dhe INBF-të janë aktorët më të përfshirë në kreditimin personal, ku përkatësisht 82% dhe 67% e huamarrësve të tyre janë me kredi për konsum.
Për çfarë përdoren mikrokreditë?
Mikrokreditë për biznese u shërbejnë kryesisht nevojave për kapital qarkullues dhe investime. Sipas raportit, 90% e institucioneve mikrofinanciare i ofrojnë këto kredi. Megjithatë, vetëm 32% e institucioneve ofrojnë kredi për mbulimin e kostove të nisjes së një biznesi, një shifër që dominon në Evropën Jugore.
Nga ana tjetër, mikrokreditë personale përdoren më së shumti për konsum të përgjithshëm (56%) dhe për përmirësimin e banesave (62%), ndonëse këto zakonisht përbëjnë më pak se gjysmën e portofolit total të mikrokredive. Qëllime të tjera përfshijnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve (19%) dhe shpenzimet mjekësore (25%)
Shuma mesatare e një mikrokredie në Evropë është 8,127 euro, por ndryshimet mes rajoneve janë të theksuara ku Evropa Veriperëndimore: 13,578 euro; Evropa Jugore: 12,633 euro; Evropa Lindore: 8,749 euro, ndërsa Ballkani: 3,134 euro
Për sa i përket llojit të institucionit, klientët e unioneve kreditore dhe OJQ-ve rezultojnë me shumat më të vogla mesatare: përkatësisht 4,852 dhe 6,622 euro.
Ndërsa, në ndarje sipas qëllimit të kredisë, mikrokreditë për biznese kanë një shumë mesatare prej 12,322 euro dhe mikrokreditë personale 3,021 euro.
Këto shifra janë në përputhje me përkufizimet e BE-së, pasi mbeten shumë poshtë pragut të përcaktuar prej 50,000 euro për kredi biznesi dhe 25,000 euro për kredi personale.
Në Ballkan, mikrokreditimi personal i drejtohet më shumë konsumit familjar dhe përmirësimit të kushteve të jetesës, ndërsa në Evropën Veriperëndimore, mikrofinanca shërben si mbështetje konkrete për ndërmarrjet e vogla dhe mikrobizneset.
Marrë nga Ekofin.al