Ndërhyrjet e fundit në ish-burgun famëkeq të Spaçit kanë nxitur reagime të forta nga shoqata të ndryshme dhe figura publike, përfshirë analistin dhe ish-të burgosurin politik, Fatos Lubonja. I ftuar në emisionin “Opinion” në News24, Lubonja shprehu shqetësimin e tij për mënyrën se si po trajtohet memoria historike e vendit.
Sipas Lubonjës, ndërhyrjet aktuale, që synojnë rikonstruksione të pjesshme për qëllime kinematografike, përfaqësojnë një prishje të kujtesës dhe një tentativë për të rishkruar ose zbukuruar realitetin e hidhur të Spaçit.
“Kam kaluar gati 10 vite në Spaç. Aty ka nisur rrënimi që në vitet ’90, kur ndërhyrjet e para u bënë nga një kompani kanadeze në minierë. Sot, aty operon një kompani tjetër, turke, që ka sjellë zhurmë dhe ndërtime, në një vend që duhet të ishte i qetë dhe i respektuar si vend kujtese,” tha ai.
Ai kundërshton idenë që për të realizuar një film mbi revoltën e Spaçit në vitin 1973, të bëhen rikonstruksione të ambienteve që nuk përkojnë me realitetin historik të asaj kohe.
“Është absurde të kthehet Spaçi në gjendjen e vitit 1973 për film, kur vetë kampi ka evoluar me dekada. Nuk mund të shuhen gjurmët e kohës, qoftë edhe një vizatim në shkallë, sepse janë pjesë e historisë,” theksoi Lubonja.
Ai sugjeron që ndërhyrjet, të bëhen me kujdes, sipas një qasjeje arkeologjike dhe me konsultim të gjerë publik, jo për qëllime tregtare apo artistike që cenojnë autenticitetin e vendit.
“Nuk është çështje inati apo akuze,” – theksoi Lubonja – “por e ruajtjes së kujtesës historike, në një vend ku ajo shpesh herë është neglizhuar apo deformuar.”
Marrë nga News24