Rusia ka kryer sulme masive përgjatë natës në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Qytetarët kanë thënë se ky ka qenë sulmi më i fuqishëm prej nisjes së luftës së Moskës në tokën ukrainase, më 2022.
Deri tani janë vrarë tre persona dhe janë plagosur 22 të tjerë, sipas kryetarit të qytetit, Ihor Terekhov dhe autoriteteve rajonale.
Sulmi ka nisur në orët e hershme të 7 qershorit. Banorët kanë raportuar për valë shpërthimesh teksa forcat ruse kanë nisur vazhdimisht raketa dhe dronë.
Forca Ajrore e Ukrainës thotë se ushtria ruse ka lëshuar nëntë raketa dhe 206 dronë dhe që 174 janë rrëzuar apo neutralizuar.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se ka “shkatërruar” 36 dronë ukrainas mbi pjesët perëndimore të vendit – përfshirë rajonet Kursk, Bryansk, Kaluga, Smolensk dhe Moskë.
Kharkiv gjendet vetëm pak kilometra prej kufirit rus, dhe është përballur me bombardime të ashpra përgjatë konfliktit të nisur tre vjet më parë.
Sipas The Kyiv Independent, ekipet e emergjencës në Kharkiv ndodhen në vendngjarje dhe po kërkojnë për viktima të tjera që mund të jenë nën rrënoja.
Dy fëmijë janë plagosur nga sulmi, përfshirë një foshnjë njëmuajshe, raporton gazeta online në gjuhën angleze, duke cituar guvernatorin rajonal Oleh Syniehubov.
Presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky tha se Putin është vrasës fëmijësh
“Ne nuk jemi fëmijë në një park lojërash. Putin është një vrasës që ka hyrë në këtë park për të vrarë fëmijët.” tha Zelensky iu përgjigj në një intervistë për ABC Neës, duke iu referuar deklaratës së presidentit Trump i cili kishte krahasuar Rusinë dhe Ukrainën me “dy fëmijë që zihen në park” dhe kishte shtuar se “nganjëherë është më mirë t’i lësh të zihen për pak kohë.”
Marrë nga BBC