Tre deputetë nga partia e ekstremit të djathtë “Spartiates”, përfshirë udhëheqësin Vasilis Stigas, kanë humbur vendet e tyre në Parlamentin grek. Vendimi u mor nga Gjykata e Lartë speciale, e cila anuloi pjesërisht zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 për shkak të mashtrimit zgjedhor.
Gjykata zbuloi se udhëheqësi i fshehur i partisë ishte Ilias Kasidiaris, një ish-zyrtar i partisë neonaziste “Agimi i Artë”, i cili është dënuar me 13 vite burg për përfshirje në organizatë kriminale. Kasidiaris nuk kishte të drejtë ligjore të merrte pjesë në zgjedhje, por ndihmoi në organizimin e fushatës së “Spartiates”.
Përveç Stigas, vendet në parlament i humbën edhe deputetët Petros Dimitriadis dhe Alexandros Zerveas. Si pasojë, parlamenti grek do të ketë tani vetëm 297 deputetë nga 300 që parashikon kushtetuta. Vendet e lira nuk do të zëvendësohen dhe nuk do të rishpërndahen te partitë e tjera.
Gjithashtu, “Spartiates” është përjashtuar edhe nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor të vitit të kaluar.
Marrë nga Newsbomb.al